Shkurt.ch

Abuzimi seksual i fëmijëve, krim që nuk vjetrohet

Rregullimin e ri të kësaj problematike, Dhoma e kantoneve e ka miratuar me shumicë bindëse të votave, 35 : 2

Qëndrimi për mosvjetërsimin e krimeve seksuale të kryera ndaj fëmijëve pritet që së shpejti të hyjë në fuqi, në trajtën e ligjit përkatës, të reviduar. Pasi që atë e ka miratuar më parë Dhoma nacionale e Parlamentit, edhe Dhoma e kantoneve ka arritur pajtimin që kufiri i moshës për të cilën do të vlejë ky qëndrim është mosha 12 vjeçare.

Rregullimin e ri të kësaj problematike, Dhoma e kantoneve e ka miratuar me shumicë bindëse të votave, 35 : 2.

Propozimi tash i kthehet Dhomës Nacionale me një ndryshim të vogël, formale të bërë nga Dhoma e kantoneve. Nëse ky ndryshim pranohet, atëherë revidimi i ligjit përkatës do të jetë i gatshëm për votimin përfundimtar.

Në vitin 2008 në një referendum në nivel vendi, populli e kishte votuar iniciativën e bërë nga organizata kundër pedofilisë, “Marche Blanche” për mosvjetërsimin e krimeve seksuale ndaj fëmijëve.

Qeveria Federale dhe parlamenti asokohe ishin kundër iniciativës. Megjithatë, pas fitores në referendum, ishte bërë përshtatja në kushtetutë në pjesën ku bëhet fjalë për këtë problematikë.