Integrimi

Kryetari i ri zotohet të përmirësojë imazhin e shqiptarëve

Intervistë me avokatin Jeton Kryeziu, kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës

Në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Zvicër, mërgata synon të promovojë vlerat e mirëfillta shqiptare, duke  zënë kështu  vendin e një komuniteti të respektuar që jeton në harmoni me të tjerët.

Organizimi i rinisë sonë përmes Kuvendit të Shqiptarëve këtu duket të jetë një hap serioz i unifikimit të mendjes, dijes, punës dhe angazhimit të mërgatës sonë në dobi të atyre shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, u vlerësua në zgjedhjet e mbajtura të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, që është një organizim i ri i shqiptarëve, e që përbëhët kryesisht nga të rinj të lindur, rritur e shkolluar këtu, ka zgjedhur në krye të tij, për një mandat dyvjeçar, avokatin Jeton Kryeziu.

Kuvendi në brendësi numëron edhe nëntë anëtarë tjerë të kryesisë si përfaqësues të pesë regjioneve të Zvicrës. E me synimin që kësaj kryesie të Kuvendit ti bashkohen edhe dy përfaqësues nga St. Galleni dhe një nga Tesina.

Më gjerësisht rreth këtij organizimi të ri të gjeneratës së dytë, për ambiciet, motivimin dhe punën e Kuvendit, flet në një intervistë për albinfo.ch, Jeton Kryeziu 

albinfo.ch: A mund të na thuani shkurtimisht kush është Jeton KryeziuJeton Kryeziu: Kam lindur në Prizren më 1982, jam prej Suharekës, fshatit Reshtan.  Në Zvicër kam ardhur në moshë shumë të re, më 1983. Kam mbaruar shkollimin këtu, gjimnazin dhe fakultetin juridik në Friburg. Më pas praktikën e avokaturës në Lozanë  gjatë vitit 2008-2010. Kurse prej muajit maj 2011  kam hapur byronë e avokaturës sime me një avokate dhe një avokat të ri,  në Lozanë.

albinfo.ch: Çfarë ju ka shtyrë të kandidoni për postin e kryetarit?Jeton Kryeziu: Për postin e kryetarit nuk kam pasur kurrfarë abicie personale. Ne brenda kryesisë kemi qenë një grup  prej gjashtë personash shumë solidarë ndërmjet vete. Gati në të gjitha temat, shumicën e temave të rëndësishme, e kam parë se mund ti diskutojmë me fakte.  Argumentet e shprehura merreshin në konsideratë nga bashkëbiseduesit. Kjo më ka pëlqyer shumë, sepse është e para herë  që ne shqiptarët dalim prej takimeve me këso vlerësime. E kam parë se ato vlera personale që i kam pasur unë për shqiptarinë. Kur flas për shqiptari, nuk është fjala për një fe e për një prejardhje, por është fjala për gjuhën, sepse gjuha shqipe është i vetmi send që na ka lidhur gjatë historisë. Pra nuk kemi pasur një fe të njejtë, nuk kemi jetuar të gjithë në një shtet, por kemi folur të gjithë të njejtën gjuhë. Pra kemi pasur shqipen që na ka mbajtur bashkë. E me këto vlera që kam trashëguar unë nga vogjëlia, e kam parë që këta persona kanë të njejtat cilësi si te miat dhe kjo më ka shtyrë ti futem kësaj rruge. Dhe unë besoj deri më tani se është duke shkuar mirë, sepse Kuvendi ka vetëm një vit që ekziston dhe ka një lloj kontinuiteti mes njerëzve që janë angazhuar këtu.

albinfo: A mund t’ju quajmë tani përfaqësues i shqiptarëve këtu, si personi që mund të flisni në emër të shqiptarëve në Zvicër?

Jeton Kryeziu: Është një pyetje që na është shtruar nepër takime të regjioneve. Kënd përfaqësoni ju, kush ju ka dhënë legjimitetin. Besoj që kjo pyetje e juaja është shumë më e rëndë. Nuk mund të përgjigjem as me po, e as me jo. Sepse nuk është vertetë nëse them po ose jo. Mirëpo për ata persona që ndajnë të njejtat vlera sikurse Kuvendi, ndoshta po. 

albinfo.ch: Cila është puna, hapi i parë i punës që do të ndërmerrni?Jeton Kryeziu: Hapi i parë është ngritja e strukturave që janë zgjedhur, e kam fjalën më shumë për delegatët e regjionit, sepse në Sankt Gallen dhe Tesin ende nuk janë zgjedhur. Ky është hapi i parë që duhet bërë, pra zgjedhjet edhe në këto dy regjione. Kurse hapi i dytë është t`i ngarkojmë delegatët regjional për të vepruar për Kuvendin, sepse njëra prej kritikave që kemi dëgjuar është mungesa e informimit, edhe pse ne jemi munduar sa më shumë të nxjerrim njoftime në website, gazeta e mediume të ndryshme. Por edhe në faqen e kuvendit (plotësim: www.kuvendi.ch), shumë njerëz nuk kanë mbërri të dinë për te. Kështu që hapi i dytë, do të jetë, t’i kërkojmë delegatëve të dalin nëpër shoqata të shqiptarëve për t`i njoftuar se si e kush është Kuvendi, çfarë përfaqëson e çfarë vlera ka.

albinfo.ch: Ju keni marrë një barrë të madhe mbi supe, t`i përfaqësoni shqiptarët. Është një Kuvend që synon të flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në Zvicër. Kështu që ju pret një punë e vështirë, një ballafaqim i vështirë. Ndoshta jo me shqiptarë sa me zviceranë e të tjerë. Faktikisht nga ju pritet të angazhoheni në përmirësimin e imazhit. Çfarëdo që  të ndodhë, kerkohet reagimi juaj, kërkohet opinioni juaj. Ku e keni marrë motivimin për këtë?Jeton Kryeziu: Ndoshta si avokat, por jo vetëm si avokat, edhe  si njëri, padrejtësinë nuk mund ta duroj. E shumë herë ka ndodhur nëpër media, nëpër fjalime politike të disa partive, disa gazetave e të tjera, të jenë thënë gjëra jo të drejta për ne. Në këtë kontekst mbetet ta bëjmë ekuilibrin, duke treguar se edhe ne jemi njerëz. Jo se jemi dikushi, por nuk është bash ashtu siç po mundohen të na paraqesin.

albinfo.ch: A mund ti veçoni dy-tri raste kur është ushtruar padrejtësi ndaj shqiptarëve?Jeton Kryeziu: Po. Ta zëmë, sa herë që ndodhte ndonjë tragjedi njerëzore në Zvicër ose një tragjedi në një familje, shkruhej e thuhej se ja këta janë shqiptarët, kjo është kultura shqiptare, kjo është tradita e tyre. E kjo për mua është e padrejtë sepse ata gazetarë që kanë shkruar kështu, nuk e njohin traditën dhe kulturën shqiptare. 

albinfo.ch Ju faleminderit për intervistën. Ju dëshiroj suksese! 

Jeton Kryeziu: Ju faleminderit edhe juve.

Katër delegatët e regjionit te Gjenevës, Vaudit dhe Valisit 

Kryesia e re e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës