Integrimi

Gati për konstituimin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës

Janë bërë të gjitha përgatitjet për takimin e së dielës në Bernë, ku do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës dhe zgjedhja e organeve të tij. Këtë të diel në Bernë do të mblidhen delegatët nga e tërë Zvicra për të zgjedhur kryesinë e re të Kuvendit të Shqiptarëve dhe për t’i […]

Janë bërë të gjitha përgatitjet për takimin e së dielës në Bernë, ku do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës dhe zgjedhja e organeve të tij.

Këtë të diel në Bernë do të mblidhen delegatët nga e tërë Zvicra për të zgjedhur kryesinë e re të Kuvendit të Shqiptarëve dhe për t’i dhënë mandatin që t’i përfaqësojë interesat e shqiptarëve në Zvicër dhe në vendet nga kanë ardhur.

Përveç Tesinës  që ende nuk i ka zgjedhur përfaqësuesit e saj, regjionet e tjera nga e tërë Zvicra do të prezantohen nga delegatët e tyre në konstituimin e Kuvendit që do të mbahet më 10 qershor.

Orhan Spahiu, kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, ka bërë të ditur për albinfo.ch se gjatë procesit zgjedhor të zgjedhjes së delegatëve nëpër regjionet e ndryshme të Zvicrës është respektuar kriteri i përfshirjes së 30 për qind të delegatëve femra, si dhe kriteri për përfshirjen proporcionale të delegatëve nga të gjitha vendet e prejardhjes dhe kriteri i përfshirjes së brezit të ri në strukturat e kuvendit

Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së vogël në kuvendet regjionale zgjedhore ai e shpjegon këtë me faktin se në pjesën më të madhe të organizimeve që po bëhen për mërgatën në Zvicër pjesëmarrja është gjithmonë e vogël e mërgimtarëve.

“Me rëndësi është të ceket që jemi në fillim të një procesi dhe se çdo ndihmë është e mirëseardhur dhe se secili është i mirëseardhur në Kuvend. Ky subjekt shqiptar është i hapur për secilin që dëshiron t’i shtyjë proceset përpara”, deklaron Spahiu.

Por për kreun e Kuvendit me rendësi angazhimi i të gjithëve ngase ky subjekt është për të mirën e të gjithëve shqiptarëve në Zvicër.

“Nuk janë me rendësi individët, por është me rëndësi procesi. Duhet t’i lëmë thashethemet dhe pyetjet pse është ky person aty, e jo pse nuk është ai tjetri. Duhet të jenë të pranishëm vetë aty duke u bërë pjesë e Kuvendit, e jo vetëm të gjykojnë anash për individë që nganjëherë edhe fare nuk i njohin”, thekson Spahiu.

Për një vit sa ka funksionuar Kuvendi është thënë të jetë punuar shumë për shqiptarët e Zvicrës, por është premtuar edhe më shumë në mandatin e ardhshëm.

“Natyrisht mund të bëhet edhe më shumë. Për mandatin e ardhshëm do të zgjidhet kryesia e ardhshme dhe një kryetar i ri, dhe do te themelohen si dhe aktivizohen edhe grupet punese, të cilat do te punojnë edhe me projekte konkrete”, zotohet Spahiu.

Kreu i Kuvendit shqiptar në Zvicër është shprehur i gatshëm t’u përgjigjet edhe kritikëve. Ai thotë se Kuvendi do të jetë i hapur për të gjitha kritikat.

“Aty ku kemi vlerësuar se me të vërtetë ka vend për kritika, ne i kemi marrë në konsiderim dhe na kanë ndihmuar për vazhdimin e procesit. Kuvendi gjithmonë do të jetë i hapur për kritika. Jemi kritikuar se jemi vetë zgjedhur e kështu me radhë. Të thuhet të vetë zgjedhur nuk më duket e qëlluar, sepse ishin shumë njerëz të pranishëm një vit më parë në Kuvend, dhe pjesa më e madhe e tyre ka votuar për anëtarët e propozuar (afër 95% në secilin votim)”, thekson Orhan Spahiu

Kuvendi zgjedhor i sivjetmë dallon nga ai i vitit të kaluar, ngase delegatët që do të vijnë të dielën në Bernë janë zgjedhur si përfaqësues të komunitetit nëpër regjionet nga vijnë.

“Dallimi tjetër është se Kuvendi i parë ishte themelues, pra qysh atë ditë edhe zyrtarisht janë vënë gurët e parë të gurtë themelit të Kuvendit. Gurët e parë ishin pjesëmarrësit në Kuvendin e parë që u mbajt më 29 maj 2011. Tash në Kuvendin e dytë do të vihen edhe gurët e tjerë, dhe kështu do të përfundon themeli. Pastaj duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë ngadalë së bashku me delegatët edhe më mirë Kuvendin duke i përshirë shqiptarët e të gjitha regjioneve të Zvicrës. Delegatët dhe grupet punues janë dy shtyllat kryesore të Kuvendit”, thotë Spahiu.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës është themeluar majin e vitit të kaluar, ndërsa synon organizimin e diasporës shqiptare në nivel federal në Zvicër dhe ka për qëllim krijimin e një strukture të përhershme përfaqësuese, si dhe organizimin e komunitetit karshi vendit pritës dhe atij të prejardhjes.