Integrimi

Pejanët që drejtojnë restorantin zviceran me traditë 270 vjeçare

Restoranti “Sängerstübli” ka filluar punën që nga viti i largët 1745. Rexhep dhe Adem Berisha e udhëheqin atë me sukses të plotë, nga viti 2009

Restorant i vjetër qindravjeçar, tipik zviceran rrëfen për lashtësinë  dhe historinë e Riehen-it, një komunë fqinje e qytetit të Bazelit dhe Bettingen. Me mbi 20 mijë banorë, është komuna e dytë më e madhe në Zvicrën Veriperëndimore.

Nga viti 1745 daton ky restorant, të cilin pasi e kanë përcjellë brez pas brezi pronarë të shumtë zviceranë, po e menaxhon prej disa vitesh edhe familja Berisha nga Peja. Autoritetet komunale me xhelozi ruajnë vlerat historike të kësaj pjese të Kantonit të Bazelit dhe kështu ka mbetur edhe Restoranti “Sängerstübli”, që është në menaxhim të famijes Berisha nga 2009 ndërsa është bërë edhe pronë e tyre nga viti 2012.

Gastronomia dhe tregtia

Rexhep Berisha rrëfen për albinfo.ch rrugëtimin për në Zvicër dhe përvojën që kishte fituar në gastronomi si dhe lidhjet e krijuara me Restorantin “Sängerstübli”. Braktisi studimet e drejtësisë në vitin 1987 në Prishtinë për të punuar në Zvicër. Puna e parë që kishte bërë Berisha ishte këtu ishte puna e kamerierit në një restorant të njohur në qendër të Bazelit. Pas vitit 99 ai fillon një aventurë tjetër në importimin e produkteve evropiane për në Kosovë deri në vitin 2005.

Më pas ai merret me distribuimin e produkteve kosovare si Birra Peja, etj. në shitoret zvicerane me firmën “R.B. Import& Export”.

“Sängerstübli”, një restorant autentik zviceran

Në vitin 2009 bashkë me vëllain e vet, Ademin marrin menaxhimin e Restorantin “Sängerstübli”, duke u sfiduar me një restorant tradicional dhe autentik që promovon kuzhinën zvicerane.

“Kualiteti shumë i lartë i ushqimit, shija e veçantë, ndjesia e shtëpisë dhe recetat e përcjella brez pas brezi, janë faktorët që e bëjnë “Sängerstübli”, të jetë një ndër restorantet më të preferuara të adhuruesve të ushqimit tradicional zviceran”, thotë Rexhep Berisha.

“Te ne vijnë të gjithë, të rinj e të vjetër, politikanë, nga komuna, nga bankat dhe nga policia, studentë dhe punëtorë”, thotë nga ana tjetër Adem Berisha, i cili prej fillimit bëri punën e gastronomit në Zvicër.

Ua ka “mësuar” zviceranëve birrën “Peja”

Mysafirët e këtij restoranti tradicional zviceran janë mësuar nga pronarët pejanë që të konsumojnë edhe Birrën e Pejës. Rexhep Berisha, importues i saj, ndihet krenar, sepse kjo natyrisht që është me interes ekonomik, por edhe simbolik, ngase edhe ai vetë është me prejardhje nga Peja.

E tërë familja është e angazhuar në këtë restorant aq sa po ta vizitoni, do të ju duket sikur keni shkuar në Pejë. Mikpritjen e familjes Berisha nuk mund ta gjeni askund.

Ndryshe, “Bacin”, siç e njohin të gjithë Rexhep Berishën, është një personalitet shumë i pranishëm edhe në jetën shoqërore të komunitetit shqiptar në Zvicër e më gjerë. Ai është aktiv në shumë iniciativa të këtij komuniteti dhe në veçanti në ato me karakter ekonomik.