Feja

“Loboni më shumë”

Myslimanët e Zvicrës me origjinë evropjane duhet të jenë më të dukshëm në raport me vendin pritës

Duke pasur parasysh se feja myslimane zë një vend të rëndësishëm në Zvicër dhe që prek mbi 300.000 banorë të vendit (89,6% të myslimanëve janë me origjinë evropiane, nga Ballakani dhe Turqia), Universiteti Popullor Shqiptar me albinfo.ch kanë mbledhur rreth një tryeze bashkëbisedues të ndryshëm për të trajtuar kryesisht çështjen e identifikimit të myslimanëve në Zvicër si dhe përfaqësuesve të tyre.

Me këtë rast, ata paraqitën analizat e tyre rreth arsyeve të mospërfaqësimit të këtyre komuniteteve myslimane me origjinë evropiane pranë institucioneve, subjekteve politike dhe mediave. Duke i dhënë fjalën aktorëve dhe studiuesve të kësaj çështjeje, organizatorët u munduan të kuptojnë se çfarë mendon “shumica që hesht” e myslimanëve të Zvicrës dhe si e shpjegojnë mosdukshmërinë e tyre në shoqërinë e vendit.

Që nga fillimi, larmia e madhe e komunitetit mysliman nënvizon kompleksitetin e saj. Çështja e përfaqësimit të myslimanëve në Zvicër, si dhe identifikimi i tyre kërkon një qasje empirike. “Teorikisht, pranohet se ekziston një formë e Islamit në Zvicër, por në realitet në terren, shumë shpejt del në pah që kemi të bëjmë me shumë komunitete. Edhe në qoftë se ka vetëm një praktikë fetare, ajo është e përbërë nga shumë kultura dhe shumë gjuhë. Kështu që, nuk është aspak çudi kur mësojmë se në Zvicër ka predikime në gjuhën turke, shqiptare, boshnjake, arabe etj.”, thekson Christopher Monnot, përgjegjës hulumtimesh për Observatorin e Feve në Zvicër në Universitetin e Lozanës.

Me të hyrë kuptohet se ky komunitet nuk qenka një grup homogjen i përfaqësuar nga disa mjekroshë radikalistë, apo nga disa oratorë arabofonë, të cilët edhe nëse janë të moderuar, nuk përfaqësojnë shumicën dërmuese të myslimanëve në Zvicër. Kështu që analiza e z. Monnot është më se e mirëseardhur, sepse ajo na bën të kuptojmë se organizimi i myslimaneve të Zvicrës përmban karakteristika që duhet trajtuar patjetër për të kuptuar pozitat e tyre.

Po cilat janë ato?

Karakteristika e parë qëndron te prejardhja e tyre. Që nga vitet 1990, thotë z. Monnot, kemi të bëjmë me një ndryshim radikal. Komuniteti mysliman shqiptar dhe boshnjak bëhet më i madh se ai i myslimanëve me origjinë turke të ardhur në vitet ’60-a.

Praktika e fesë përbën po ashtu një pikë që duhet theksuar. Përveç faktit se një numër i madh me prejardhje nga vendet e Ballkanit e quajnë vetën myslimanë, 70% nga ta janë të njohur nga qendrat fetare përkatëse. Z. Monnot tha se është çuditur kur ka vështruar se shtatë myslimanë nga dhjetë janë të njohur nga xhamitë e rrethinës së tyre, edhe pse vetëm 14% prej tyre marrin pjesë rregullisht në predikimet e saj.

Prejardhja dhe praktika i bashkëngjiten edhe faktorit gjuhësor. Sipas studimeve të kryera, tani më dihet se gjuhët e përdorura nga myslimanët e Zvicrës janë 1/3 në gjuhën arabe, ¼ në gjuhën turke, 20% në gjuhën shqipe dhe boshnjake, ndërsa 15% prej tyre përdorin gjuhët e vendit (gjermanisht, frëngjisht ose italisht).

Më në fund, karakteristika themelore e këtyre komuniteteve qëndron te fakti se shqiptarët dhe boshnjakët myslimanë nuk janë shumë mirë të organizuar në krahasim me grupet e tjera fetare dhe që nuk ekziston një lloj federate e myslimanëve të Zvicrës.

© albinfo.ch

Përse shqiptarët myslimanë në Zvicër janë aq të padukshëm?

Fillimisht, të gjithë mysafirët ranë dakord me konstatimin se komunitetet myslimane të Zvicrës nuk janë mjaft mirë të organizuara për t’u bërë ballë debateve të zhvilluara në Zvicër. Faktori numër një është moszotërimi i gjuhës së vendit, në përjashtim të komuniteteve arabe. Imamët e parë kanë qenë të izoluar, qofshin turq apo shqiptarë. Prandaj edhe zëri i tyre nuk është ndier jashtë qendrave fetare dhe kontaktet me kisha, shoqata dhe institucione të vendit pritës nuk kanë ekzistuar.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë që në nivelin lokal nuk ekzistojnë, ose nuk janë të organizuar fare, thekson imami Rejhan Neziri, President i Unionit të Imamëve shqiptarë në Zvicër. Sipas tij, për momentin “në Zvicër numërojmë rreth 60 xhami apo qendra myslimane shqiptare. Në qytetet më të mëdha, sikur në Cyrih e Basel janë dy a tri qendra shqiptare. Hapja e këtyre qendrave është një dukuri më e vonshme sesa ajo e turqve dhe e arabëve. Xhamia e parë shqiptare është hapur në Cyrih në vitet ‘90-a.”

Sipas imamit, një faktor tjetër që shpjegon heshtjen e shqiptarëve myslimanë qëndron te fakti se këta të fundit dallohen fillimisht për tolerancën fetare të tyre që kanë kultivuar në vendlindje. Andaj, shpjegon ai, shqiptarët myslimanë nuk kanë paraqitur ndonjë problem politik apo social në Zvicër. Kështu që rastet që kanë ndodhur në arenën ndërkombëtare (sulmet në SHBA, Londër ose në Madrid) nuk kanë shkaktuar asnjë fajësim të shqiptarëve myslimanë. Fatkeqësisht, vështroi imami, mediat u drejtohen kryesisht përfaqësuesve myslimanë radikalë për të dhënë një fytyrë më ekstremiste të myslimanëve në Evropë. Siç dihet, frika nga këta radikalistë është shfrytëzuar dhe instrumentalizuar si nga disa politikanë, ashtu edhe nga disa media.

Nga ana e tij,  David Gün, Anëtar themelues i Qendrës kulturore turke në Moudon (VD) dhe Këshilltar komunal, theksoi faktin se për komunitet turke, shqiptare apo boshnjake, çështja e identitetit kulturor gëzon vendin e parë. Kjo dukuri ndryshon nga myslimanët e Magrebit apo vendeve arabe të cilët vendosin në rend të parë fenë.

© albinfo.ch

Radikalistët myslimanë, më të suksesshëm falë njohjes së gjuhës së vendit

“Zhvillimi i debateve rreth çështjes së myslimanëve në Zvicër është bërë duke u mbështetur kryesisht në figura ekstremiste të Islamit, figura që përfaqësojnë një formë të Islamit shumë të ngurtë dhe shumë konservativ”, shpjegoi imami. Në shumicën e rasteve, radikalistët myslimanë në Zvicër janë persona të konvertuar në fenë myslimane dhe që flasin shumë mirë gjuhët e vendit. Sipas pjesëmarrësve, ky faktor gjuhësor shpjegon pse komunikimi me myslimanët shqiptarë, boshnjakë apo turq është pothuajse i padukshëm, ngase imamët e këtyre komuniteteve nuk njohin gjuhët lokale. Imami theksoi se debati politik në Zvicër ka gjetur këto komunitete të papapërgatitura.

Por kjo situatë ka filluar të ndryshojë dhe imamët e këtyre komuniteteve mundohen të zotërojnë gjuhët e vendit. Prandaj, edhe tani, dalëngadalë komuniteti shqiptar po përpiqet të ecë përpara me krijimi e Unionit të Imamëve shqiptarë në Zvicër.

Pikërisht Raphael Pomey, gazetar për “Le Matin”, tha se në mungesë të përfaqësuesve të këtyre komuniteteve, në shumicën e rasteve gazetarët u drejtohen përfaqësuesve të vijës radikale, sepse ata janë pothuajse të vetmit që tregohen të gatshëm për të dhënë përgjigje të shpejta dhe që nuk kanë frikë të shprehin mendimin e tyre në medie. Edhe pse publiku shprehu pakënaqësinë e tij, gazetari ftoi përfaqësuesit e këtyre komuniteteve që të bëhen më të organizuar dhe më të dukshëm, si dhe të dëshmojnë gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. “Ju duhet të organizoheni më mirë, të loboni më shumë, të rritni kontaktet me gazetarët dhe të na informoni më shumë për realitetin tuaj si dhe pozicionimin tuaj për tema të caktuara”.

Foto galeri