Shkurt.ch

“Vajzat e forta” rrahin zezaken “në vetëmbrojtje”

Tri vajzat: një zvicerane, një nga Maqedonia dhe një nga Bosnja, u arrestuan mbajtën 6 ditë paraburgim dhe u dënuan me gjoba

Ditë më parë të gjitha mediet e Zvicrës gjermane shkruan për një ekses me ngjyrime raciste. Një klikë vajzash të reja, 17 deri 19 vjeçare ballkanike dhe zvicerane kishin rrahur në Wetzikon të Cyrihut dhe bërë për spital një moshatare të tyre braziliane. Shkaku: Se ajo ishte zezake! Kështu u raportua në mediet e këtushme.

Ndërkohë tri vajzat e rrezikshme, një zvicerane (Melanie), një me prejardhje nga Maqedonia (Mirusha) dhe një nga Bosnja (Emina), u arrestuan dhe pas gjashtë ditësh paraburgim, u liruan.

Gjoba prej 1300 deri në 1900 franga si dhe një dënim me kusht me të holla prej 12.000 frangash. Ky është bilanci i rastit.

Ndërkohë “klika” e vajzave të dhunshme paraqitet në faqet e para të gazetave bulevardeske ku ato madje edhe marrin poza. Artikujt sugjerojnë: Kujdes nga bukuroshet e rrezikshme. 

“Kur sulmohemi, ne duhet të mbrohemi “, thonë vajzat për gazetën Blick. Ato më tutje pranojnë: “Kur u takuam ne tashmë ishim të dehura. Një shishe vodka-orange ishte në lojë. Emina, njëra nga sulmueset kujtohet: “Unë isha komplet e dehur. Mezi e mbaja drejtpeshimin.”

Ndërsa Mirushja 19 vjeçare thotë: “Ajo, braziliania na provokonte tërë kohën. Na quante `laviret e bardha`. Pastaj ajo hipi në të njëjtin autobus me ne. Ajo më goditi befasisht  me grusht në krah dhe mi ngrehu flokët “.

Emina shton: “Unë e godita. Ajo u përplas për muri. Pastaj u rrokullis shkallëve dhe këtu përfundoi rrahja. Asaj po i dilte gjak nga goja… Ne nuk na erdhi keq për të. Ajo ishte që na sulmoi e para”.

Të nesërmen na u vunë prangat. Emina thotë: Më arrestuan para syve të familjarëve. Ishte shumë keq për babanë…”. Mirusha thotë: “Burgu ishte tmerr i vërtetë”.

Ndërkaq një psikolog i të rinjve, i kontaktuar nga gazeta ka thënë se përgjigja e dhënë nga vajzat “është përgjigje tipike për këto raste. Këtyre vajzave u mungon vetëdija për padrejtësinë e bërë ato gjithçka e shohin nga këndvështrimi i tyre”.