Shkurt.ch

Berna ndan çmimin social për punë vullnetare

Çmimi do të jepet për rezultate të punës vullnetare ose të nderit, që kanë kryer individët, grupet ose organizatat që veprojnë në Bernë

Drejtoria për arsim, punë sociale dhe sport këtë vit do të ndajë për të 17-ën herë “çmimin social” (Sozialpreis). Afati për konkurrim fillon menjëherë, që nga shpallja dhe vazhdon deri më 27 gusht 2012.

Çmimi do të jepet për rezultate të punës vullnetare ose të nderit, që kanë kryer individët, grupet ose organizatat që veprojnë në Bernë.

Dorëzimi solemn i çmimit do të bëhet më 5 dhjetor 2012, në ditën e OKB-së për punë vullnetare.

Me ndarjen e këtij çmimi, qyteti i Bernës falënderon të gjithë ata që kryejnë punë vullnetare dhe i bën ata të dukshëm për opinionin.  Çmimi ka edhe vlerën monetare prej 10.000 frangash në vit  dhe financohet nga fondacioni Warlomont-Anger.

Një juri, e kryesuar nga qeveritarja e komunës së Bernës Edith Olibet shpall fituesin ose fituesen.

Çmimin social të vitit 2011 e pati marrë organizata “Die Grauen Panther Bern”. Ndërsa një mirënjohje kishte shkuar në adresë të projektit Rugby@school.

Për këtë çmim mund ta propozojnë veten individët, grupet ose organizatat që bëjnë punë vullnetare apo ato mund të kandidojnë dikë tjetër.