Shkurt.ch

Qeveria e Zvicrës nuk dëshiron të zgjedhet nga populli

Ajo i ka rekomanduar parlamentit që të refuzojë iniciativën e SVP-UDC-së “Zgjedhja e Qeverisë Federale nga populli"

Këshilli Federal (qeveria e Zvicrës) është shprehur kundër idesë që në të ardhmen anëtarët e tij të zgjdihen në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga populli. Një gjë e tillë do të kishte pasoja për sistemin demokratik të Zvicrës.

Me këtë arsyetim, qeveria i ka rekomanduar parlamentit që të hedhë poshtë iniciativën e SVP-UDC-së me moton “Zgjedhja e Qeverisë Federale nga populli”.

Këshilli Federal me këtë rast në komunikatën e tij përmend si argumente kundërshtuese vlerësimin se do të prishej barazpesha në mes të qeverisë dhe parlamentit, dhe do të dëmtohej edhe parimi i kolegialitetit në mes të anëtarëve të qeverisë (ministrave).

Veç kësaj në rast se do të votohej iniciativa për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të qeveritarëve, do të rritej ndikimi i politikës partiake në dëm të politikës së bazuar në çështjet jetësore.

Për këtë iniciativë, SVP-UDC ka mbledhur në korrikune vitit 2011 mbi 110.000 nënshkrime, duke plotësuar kështu kushtin që çështja të nxirret në votim.