Lajme

Kosovarët mendojnë për pushime verore, preferojnë Shqipërinë, Ulqinin dhe Turqinë

Bregdeti shqiptar mbetet destinacioni më i preferuar për turistet Kosovar. Afërsia dhe çmimi i lirë i akomodimit ka bërë që numri i qytetarëve të Kosovës që pushojnë në bregdetin shqiptar të rritet dita-ditës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shihet se gjatë vitit 2011 Shqipërinë e vizituan hiç më pak se 2 milionë e 733 mijë e 650 vizitorë, ku 46 për qind e tyre, apo 1.2 milionë ishin qytetarë nga Kosova, shkruan Zëri

Pas kosovarëve, Shqipërinë e vizituan më së shumti maqedonasit me 12 për qind, malazeztë dhe grekët me nga 6 për qind, italianët me 5 për qind dhe anglezët e gjermanët me nga 3 për qind.

Por, zyrtarë të kësaj ministrie, por edhe pronarë të agjencive turistike shpresojnë se sivjet numri i turistëve kosovarë që do ta vizitojnë Shqipërinë do të jetë edhe më i madh për shkak të modernizimit të infrastrukturës rrugore.

Punëtorë të agjencive turistike kanë deklaruar se numri i atyre që udhëtojnë drejt Shqipërisë është duke u rritur dita-ditës.

Zyrtarë të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë kanë thënë se Kosova për ta ka një rëndësi të veçantë, pasi që pjesa më e madhe e turistëve që vizitojnë Shqipërinë janë nga Kosova.

Kosovarët nuk po e lënë anash as Ulqinin. Ende pa filluar edhe zyrtarisht sezoni turistik, autobusët çdo ditë bartin pushues kosovarë për në bregdetin e Ulqinit.

Sipas drejtuesëve të agjencive turistike numri i udhëtareve në linjën Prishtinë-Ulqin është në rritje e sipër, sidomos interesim të madh ka gjatë ditëve të festave dhe vikendeve.

Edhe kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pret që këtë sezon turistik në Ulqin të ketë edhe më shumë pushues nga Kosova, raportojnë mediat kosovare.

Sipas tij, këtë vit as çmimet nuk do të ndryshojnë dhe do të jenë përafërsisht të njëjta me ato të vitit të kaluar.

Nazif Cungu ka pohuar se pikësynim kryesor është rikthimi i fuqisë së Komunës së Ulqinit, që përsëri të dalë e para nga të gjitha komunat tjera të Malit të Zi.

Sipas tij, Ulqini në verën e këtij viti do të ketë infrastrukturë shumë më të mirë rrugore, ujë të pijshëm dhe pastërti absolute për pushuesit.

Kosovarët nuk po ia lënë mangut as Turqisë. Ofertat e shumta nga kompanitë e ndryshme kosovare kanë bërë që një numër i madh i turistëve kosovarë t’ia mësyjë Turqisë për pushime.

Disa nga kompanitë turistike në kuadër të ofertave kanë edhe pagesa deri në 12 këste nëpërmes bankave e shumë turistë siç duket nuk çajnë kokën nëse për një vit të tërë do të lajnë borxhin e kësaj kënaqësie, shkruan Zëri.

Kompanitë turistike tashmë janë gati për rivierën turke, ndërsa hotelet që përfshihen në ofertat e tyre i takojnë vendeve si Kemer, Belek, Side, Alanya, Antalya, Marmaris dhe Bodrum.