Integrimi
Diaspora shqiptare ka nevojë për strukturim dhe centralizim
Bisedë me gazetaren Mimoza Kelmendi, Drejtore për Media dhe Komunikacion në Shoqatën IDEAL në Gjermani
Mimoza Kelmendi: „Mund të them që Dita e Parë e Dialogut ishte një hap drejt një qëllimi: Krijimi i një „sipërmarrje të përbashkët“ që Diaspora të shërbejë si Urë bashkëpunimi me vendet amë.
Albinfo.ch: Zonja Kelmendi, ju ishit Moderatore në një prej Paneleve të zhvilluara në aktivitetin Dita e Dialogut të Diasporës në Këln. Si e kishit konceptuar pjesëmarrjen e të ftuarve dhe cili ishte qëllimi i këtij Paneli në përgjithësi?
Mimoza Kelmendi: Natyrisht që i gjithë aktiviteti ishte konceptuar në funksion të qëllimit të përbashkët për të komunikuar apo bashkëbiseduar me njëri tjetrin si individë, si shoqata apo si institucione që Diaspora jonë të bëhet një Urë bashkëpunimi me vendet tona. Paneli në tërësinë e tij ishte zëri i Diasporës e përfaqësuar nga disa shoqata me përvojë si dhe individë që tashmë janë kthyer në personalitete të suksesshme në profesionet e tyre. Qëllimi ishte që ata përmes përvojave personale të prezantonin rrugëtimin e tyre me eksperiencat pozitive dhe negative. Duke qenë se ata ishin nga fusha të ndryshme, pjesëmarrësit e Panelit ofruan para publikut edhe kopetencat e Diasporës, potencialin e saj profesional në fushat përkatse duke vënë theksin në gatishmërinë për bashkëpunim me vendet amë.
Albinfo.ch: A mund t’na i konkretizoni këto që thatë? Cilat ishin pra disa nga idetë që prezantuan bashkëbiseduesit e Panelit ?
Mimoza Kelmendi: Patjetër, por së pari dua t’ju bëj të ditur lexuesve të albinfo.ch se cilët ishin pjesëmarrësit e Panelit që unë drejtova: Ali Salihu nga Shoqata UraKult në Këln, mesuesja Mimoza Leka nga Shoqata Kulturore Shqiptare Qarku Rheinisch-Bergisch, aktori i njohur, Kasem Hoxha, Biznesmeni Ejup Berisha, Mjeku kardiokirurg në Dyseldorf, Bujar Maxhera, Andreas Hemming Kryetari i Shoqatës së Miqësisë gjermano-shqiptare në Hamburg dhe avokati Nefail Berjasevic me origjinë nga Mali i Zi që punon në Këln. Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi të prezantonin veten dhe shoqatat e tyre të shoqëruara edhe me pamje filmike.
Bisedën e nisa jo pa qëllim me mësuesen e gjuhës shqipe dhe docente e gjuhës gjermane për të huajt Mimoza Leka, e cila bashkë me prindërit e fëmijve shqiptarë kanë krijuar një shoqatë shumë aktive në ruajtjen e traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare. si dhe në integrimin e shqiptarëve në shoqerine gjermane ku ata jetojnë. Ajo dha mendimin që bashkëpunimi në një plan më të gjërë me shoqatat e tjera do të krijonte mundësinë e kontakteve dhe të projekteve më të mëdha bilaterale.
Ndërkohë që Biznesmeni i njohur Ejup Berisha u ndal në mundësitë e investimeve në Shqipëri apo Kosovë. Sipas tij shanset janë të shumta dhe koha e barrierave apo burokracive në vendet tona ka kaluar. Secili me përvojën që ka krijuar në Gjermani dhe me mundësitë financiare mund të kontribuojë si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, veçanërisht në fushën e Turizmit apo në sektorë të tjerë, theksoi ai.
Edhe mjeku Bujar Maxhera ndau të njëjtin mendim si zoti Berisha. Suksesin e tij si kardiokirurg ai dëshiron ta ndajë edhe me kolegët e tij në Prishtinë duke kontribuar në specializimin e tyre pranë klinikave gjermane apo në paisjet e Spitaleve në Kosove me aparatura bashkëkohore. Avokati Berjasevic, njëkohësisht edhe pedagog në Universitetin e Sigenit u shpreh për një shkëmbim eksperiencash me kolegët në Shqipëri pas përvojës së tij si jurist në Gjermani dhe në Nju York apo specializim të juristëve shqiptarë këtu në Gjermani. Shkëmbimi i përvojave me homologët në atdhe ishte synimi i tyre i përbashkët dhe ndihmon shumë në shkëmbimin e njohurive mes tyre.
Albinfo.ch: Po kultura, arti sa të rëndësishëm janë dhe sa arrin Diaspora të prezantojë vlerat e kulturës shqiptare përveç asaj që bëjnë fëmijët e shkollave?
Mimoza Kelmendi: Sigurisht që kultura ka një rol shumë të rëndësishëm, aq më shumë që prej dy vjetësh kemi edhe një Marrëveshje kulturore mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Dua të theksoj që Gjermania i kushton një vëmendje të veçantë komunikimit kulturor dhe diplomacisë kulturore. Duhet t’i shprehim mirënjohjen së pari gjithë artistëve shqiptarë, të cilët në mënyrë individuale, me vullnetet e tyre, me talentin e tyre, kanë çarë nëpër skenat gjermane, duke i bërë nder emrit të Shqipërisë apo Kosovës.
Një prej të cilëve është edhe aktori Kasem Hoxha nga Tirana, emigrant i korrikut 1990 që ishte i ftuar në Panel dhe që përveç suksesit personal në ekranin e madh dhe të vogël, ai është mjaft aktiv edhe në veprimtaritë e shoqatave shqiptare dhe mbi të gjitha një shqiptar shumë human. Kemi shumë këngëtarë, instrumentistë, piktorë, dirigjentë të talentuar që janë bërë shumë të njohur nga artdashësit gjermanë dhe kjo e gjitha është një kartëvizitë për Shqipërinë dhe Kosovën. Ata të gjithë duan ti shohin shqiptarët e Diasporës jo të përçarë por së bashku ashtu sikurse i mbledh në sallë një Koncert apo film.
Tashmë në Këln prej tre vjetësh është shumë aktive shoqata UraKult e cila ka punuar intensivisht me aktivitete të ndryshme si: koncerte klasike, ekspozita, teatër apo festival të filmit shqiptar duke ofruar një imazh të ri për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht atë kosovare. Edhe Ali Salihu, pjesëtar i Panelit u shpreh për një vazhdim të Dialogut të Diasporës në të ardhmen duke qenë gjithmonë të hapur për bashkëpunim në frymën e transparencës dhe besimit të ndërsjelltë.
Albinfo.ch: Po qytetarët gjermanë vetë sa janë të angazhuar kur vjen puna e bashkëpunimit me shqiptarët?
Mimoza Kelmendi: Jo pa qëllim unë kisha në Panel edhe një gjerman, i cili drejton Shoqatën e Miqësisë gjermano-shqiptare(DAFG) me qendër në Hamburg, Andreas Hemming, njohës shumë i mirë i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kjo shoqatë prej më shumë se 40 vjetësh punon për të zhvilluar dhe zgjeruar miqësinë me popullin shqiptar në frymën e mirëkuptimit ndërmjet dy popujve. Sipas Hemming suksesi i tyre ngrihet mbi bashkpunimin partnerial me shoqata, organizma e individë që ndajnë të njëjtat ide e interesa dhe po ashtu financohen kryesisht prej kontributeve të anëtarëve dhe ofrimeve të ndryshme. Një model që ai ia sygjeroi të gjithëve në sallë si mundësi për vazhdimësinë e dialogut dhe bashkëpunimit me Diasporën në të ardhmen.
Albinfo.ch: Në fund zonja Kelmendi, çfarë i bashkon dhe i ndan shoqatat apo individët dhe çfarë pritet pas këtij aktiviteti?
Mimoza Kelmendi: Dua të nënvizoj së pari që Diaspora nuk përfaqësohej vetëm me të ftuarit e mi në Panel, pasi në sallë kishim edhe shumë përfaqësues shoqatash të tjera. Natyrisht që nuk është e lehtë të bashkëpunosh me shqiptarë, pasi siç u theksua edhe në Panel, të gjithë vuajnë për të qenë njëshi. Pyetja që shtrohet është: Çfarë na pengon që të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe sesi mund t’i tejkalojmë këto pengesa që krijojnë shpesh ndasi? Janë bërë përpjekje që të përmirësojmë së pari komunikimin mes nesh, të respektojmë mendimin ndryshe për të gjetur mirëkuptim dhe besim tek njëri -tjetri. Me këtë rast u vu theksi shumë tek institucionet shtetërore dhe komunale në Shqipëri dhe Kosovë që të jenë më të vemendshëm ndaj nesh, ndërkohë që patnerët tanë gjermanë CIM/GIZ e kanë marrë edhe më seriozisht angazhimin tonë. Madje pa ato as ky aktivitet nuk do të ishte zhvilluar.
Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit u shprehën për një strukturim apo centralizim të shoqatave apo individëve në Lande dhe në tërësi në Gjermani. Krijimi i një Portali Online për Diasporën do ti shërbente pikërisht këtij strukturimi, sepse ky Portal do të ishtë edhe „pikëtakimi“ i të gjithëve. Si përfundim mund të them që Dita e Parë e Dialogut ishte një hap drejt një qëllimi: Krijimi i një „sipërmarrje të përbashkët“ që Diaspora të shërbejë si Urë bashkëpunimi me vendet amë. Në Dialog nuk jemi kundër njëri-tjetrit por me njëri-tjetrin. Vazhdimi na bën mirë të gjithëve.
Faleminderit dhe sukesese të mëtejshme në 2018 gjithë stafit të albinfo.ch.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha