Shkurt.ch

Gjykata Federale i jep të drejtë Lëvizjes kundër islamizimit të Zvicrës

Asaj i ishte ndaluar pa të drejtë vendosja e një stende informuese, në prag të mbajtjes së referendumit të minareve, në vitin 2009

Lëvizjes zvicerane kundër islamizimit (SBGI) i është bërë e padrejtë kur i është ndaluar vendosja e një stende informuese në Friburg, në prag të mbajtjes së referendumit për ndalimin e ndërtimit të minareve, në vitin 2009. Në këtë konstatim ka ardhur Gjykata Federale e Zvicrës duke iu përgjigjur ankesës së bërë nga lëvizja në fjalë.

Autoritetet e qytetit i patën refuzuar atëbotë SGBI-së kërkesën për stendë nga frika se ajo mund të bëhej shkak i protestave në qytet. Kjo frikë bazohej në protestat e shkaktuara nga një organizim i ngjashëm në Lozanë, një muaj më parë, kur qe shkatërruar stenda e SBGI-së.

Gjykata Federale duke i dhënë të drejtë lëvizjes kundër islamizimit, ka theksuar se asaj i është cënuar liria e mendimit dhe e informimit, njofton sda. Sipas gjykatësve, autoritetet e Friburgut nuk e kanë arsyetuar bindshëm përse do të rrezikohej siguria publike në rast të vendosjes së stendave.