Maqedonia

Kammenos kërkon referendum për emrin e Maqedonisë

Kreu i partisë së koalicionit qeveritar “Greket e Pavarur”, Panos Kammenos, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, ka kërkuar mbajtjen e një referendumi për emrin e Maqedonisë.

Sipas tij populli grek duhet të vendosë atë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit, dhënien e historisë dhe civilizimit të tij, një populli tjetër, përcjell albinfo.ch.

Ministri grek që ka deklaruar prej kohesh se nuk do të pranojë kurrë që emërtimi i fqinjit verior të Greqisë të përmbaje termin “Maqedonia”.

Ai thekson për mediat e huaja se “nëse kjo ndodh, do të ketë një tkurrje të civilizimit grek në shekujt që vijnë”.

Duke hedhur poshtë zërat për një krizë brenda koalicionit qeveritar Kammenos deklaron se ka besim të plotë tek negociatat që po zhvillon ministri i Jashtëm Nikos Kotzias.

Ndërsa emri Maqedonia duket se ka përçarë partitë dhe opinionin publik në dy vendet, ku ndërkombëtarët kërkojnë që çështjen ta zgjidhin vetë kryeministrat Tsipras dhe Zaev.