Kosova

Si është gjendja e gripit sezonal në Kosovë dhe si të mbroheni nga ai

Gjendja e situatës epidemiologjike në Kosovë është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Megjithatë, në një raport të fundit ky institut thotë se me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.

“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Sipas IKSHP-së nga 1 tetori ( java  e 40 –të)  deri më 7 janar,  2018 (java e1-rë), në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 15.737 raste  të  dyshimta  në  grip (ILI)  2329 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 36 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore  Akute).

Numri më i madh i rasteve është raportuar nga Prishtina, Prizreni e Podujeva, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik. Gjatë javës së parë 1 – 7 janar  janë raportuar  1609  raste ILI, 193 raste  ARI dhe 5 raste SARI.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit- IKSHPK  deri  më 10 janar   2017  janë testuar gjithsej 40 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 7 mostra  kanë  rezultuar pozitive:  1 mostër ka  rezultuar  pozitive  në  Influencën A(H1), 5 mostra në Influenca A  dhe 1 mostër  Influenca B.

Gjithashtu janë testuar  edhe dy  mostra në virus  të tjerë respirator  të cilat kanë rezultuar  negative.

Në  Klinikën Infektive, Klinikën e  Pediatrisë  dhe spitalet  rajonale gjatë javë së 1-rë (01-07 janar 2018) janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me   Bronchopneumonia  dhe  Pneumonia  (ARI).

IKSHP rekomandon që qytetarët të mos dalin në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me shumë njerëz dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehtae vitamina.

Si të mbrohemi nga Gripi sezonal

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpiklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

• Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

• Njerëzit 65 vjeç e sipër

• Gratë shtatzëna.

• Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

• Temperaturë e lartë

• Kollë

• Dhimbje fyti

• Lodhje

• Dhimbje koke

• Diarre dhe vjellje

• Dhimbje barku

• Rrjedhje të hundëve

• Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

• Frymëmarrje te shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

• Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

• Nuk konsumojnë mjaftueshëm lëngje

• Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

• Forcim të qafës

Të rriturit shfaqin:

• Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

• Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

• Marramendje të papritur

• Konfuzion mendor

• Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

I.                    Vaksinimi.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

• Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

• Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

• vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos :

• Fëmijëve mbi 6 muaj

• Personave mbi 50 vjeç

• Personave me rrezik më të lartë

• Personelit shëndetësor

• Grave shtatzëna

• Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarve.

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

• Personave që kanë alergji në vezë

• Gjendje akute me temperaturë

• Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal

• Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

• Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni dezinfektues.

• Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

• Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

• Ushqehuni shëndetshëm

• Bëni aktivitet fizik

• Bëni gjumë të mjaftueshëm.

• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :

• Qëndroni në shtëpi.

• Qëndroni veç nga të tjerët

• Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

• Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

• Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime

• Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

• Evitoni kontaktet me njerëzit