Shkurt.ch

Më pak të papunë në Zvicër gjatë prillit

Shprehur me shifra, numri i të papunëve ka qenë 123158 persona ose 3234 më pak se një muaj më parë

Gjatë muajit prill ka shënuar një rënie të vogël numri i të papunëve në Zvicër. Kështu, nëse në muajin mars, shkalla e papunësisë në nivel vendi ka qenë 3.2 për qind, në fund të prillit kjo përqindje ka rënë në 3.1 për qind. Shprehur me shifra, numri i të papunëve ka qenë 123158 persona ose 3234 më pak se një muaj më parë, njofton Seco. 

Ndërsa krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar, numri i të papunëve ka qenë për vetëm 209 veta më i vogël, ose ka shënuar një rënie simbolike prej 0.2%.

Një rënie më të theksuar ka shënuar ndërkaq numri i të papunëve të moshës së re, respektivisht ai është 16669 ose për 781 më i vogël se një muaj më parë.

Po kështu ka shënuar rënie edhe numri i kërkuesve të punës, njofton news.search.ch. Gjatë muajit prill ai ka qenë për 4770 veta më i ulët se një muaj më parë, gjegjësisht, punë kanë kërkuar 176142 persona.