Shkurt.ch

Kryeministri i një landi gjerman pritet nga 4 ministra zviceranë

Si njësia federale gjermane më e afërt me Zvicrën dhe njëra ndër më të fuqishmet, Baden Würtemmbergun e lidhin me Zvicrën shumë gjëra

Pritja që i është bërë dje në Bernë kryeministrit të Landit (Republikës) të Baden Württembergut gjerman, Winfried Kretschmann ka qenë një pritje e nivelit çfarë zakonisht u rezervohet shefave të shteteve. Katër ministra federalë të Zvicrës kanë takuar të parin e republikës fqinje veriore. Johan Schneider – Ammann, Doris Leuthard, Eveline Widemr Schlumpf dhe Didier Burkhalter kanë pasur takime të ndara  me mysafirin gjerman, njofton magazina televizive 10vor10.

Duke qenë njësia federale gjermane më e afërt me Zvicrën dhe njëra ndër më të fuqishmet, Baden Würtemmbergun e lidhin me Zvicrën shumë gjëra. Prej një kohe është ne radhë të parë problemi me shpërndarjen e zhurmës së aeroplanëve të Aeroportit të Cyrihut në zonën kufitare, që mundon të dy shtetet.

Së fundi edhe problemi me marrëveshjen tatimore Zvicër-Gjermani, që po kundërshtohet nga landet e udhëhequra nga qeveritë e majta ka shkaktuar një tensionim plotësues në raportet fqinjësore. Kretschmann i takon partisë së Gjelbër.

Në përmbyllje të vizitës së kryeministrit të Baden Würtemmbergut janë lëshuar komunikata sipas të cilave është mbajtur një dialog konstruktiv dhe çështjet janë në rrugë të zgjidhjes.