Shkurt.ch

Shënohet me protesta Dita e punëtorëve

Si çdo vit edhe këtë 1 maj sindikatat dhe partitë e majta në Zvicër do t’i paraqesin shqetësimet e punëtorëve në rrugë

Në Zvicër janë paralajmëruar mbi pesëdhjetë ngjarje për të shënuar 1 majin,  Ditën e punëtorëve. Motoja e protestave të sivjetme të Federatës së Sindikatave të Zvicrës (SGB) është titulluar: “Më shumë mbrojtje, më shumë paga, më shumë pensione”.

Deputeti nacional  i Partisë Socialiste (PS) dhe njëherësh kryetar i Federatës së Sindikatave të Zvicrës(SGB), Paul Rechsteiner do të udhëheq me tubimin e paralajmëruar të punëtorëve  në Cyrih. Mediat zvicerane kanë paralajmëruar pjesëmarrjen edhe të Kamal Abbas nga Lëvizja e Lirë e sindikatave egjiptiane, njëri prej personave kyç të revolucionit egjiptian.

Cyrihu nga ana tjetër është zotuar se nuk toleron demonstrata të dhunshme për të shënuar 1 majin.

Policia kishte arrestuar qindra demonstrues vitin e kaluar. Këtë vit, policia ka paralajmëruar  të njëjtën strategji. Policët kanë marrë urdhrin e qeverisë komunale për të mos toleruar dhunën.