Shkurt.ch

Luca Hänni ia sheh sherrin tensioneve Zvicër-Gjermani

"Përse pikërisht një zviceran të fitojë në spektaklin gjerman", pëshpëritet pas përhapjes së opinionit të keq për gjermanët në Zvicër

Në finalen e spektaklit “DSDS” (Gjermania kërkon super yllin) të mbajtur të shtunën që shkoi, ka fituar kandidati zviceran Luca Hänni. Atij i është rezervuar një pritje madhështore në vendlindjen e tij në rrethinën e Bernës ndërsa i gjithë opinioni zviceran i ka brohoritur suksesit të tij. Por ndërkaq në Gjermani ka filluar të rritet pakënaqësia me këtë përzgjedhje!  “Përse pikërisht një zviceran të fitojë në këtë spektakël”, pëshpëritet në Gjermani pas përhapjes së opinionit të keq për gjermanët në Zvicër.

“Në Gjermani zvicerani zgjidhet superstar ndërkohë që në Zvicër migrantët gjermanë po shahen”, thonë gjermanë të frustruar në forumet e gazetave dhe portaleve gjermane. “Kthejeni atë surrat nga ka ardhur!”. Debatues tjerë relativizojnë duke thënë: “Luca nuk ka çfarë të bëjë, mirëpo, kur të shohësh se si në Zvicër po ndërsehet kundër gjermanëve, komentet tona sharëse nuk janë për të habitur”.

Atmosfera pak a shumë e tensionuar në raportet Zvicër-Gjermani ka filluar me shtimin e numrit të gjermanëve që zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë në Zvicër. Mirëpo, me deklaratat e javës së kaluar të politikanes nga SVP-UDC Nathalie Rickli kundër “vërshimit gjerman”, kjo atmosferë vetëm sa është helmuar më shumë.