Shkurt.ch

Paratë e diktatorëve arabë u kthehen ngadalë vendeve përkatëse

Do të kalojnë vite deri sa Tunizia, Egjipti dhe Libia të mund të marrin pronat që ish kryetarët e tyre i kanë deponuar në Zvicër

Kthimi i parave që diktatorët arabë i kishin deponuar në Zvicër po shkon me hapa të ngadalshëm përpara. Zvicra është në negociata me institucionet që kanë trashëguar diktaturat e vendeve për katëse.

Mirëpo do të kalojnë edhe vite të tëra deri sa Tunizia, Egjipti dhe Libia të mund të marrin pronat që ish kryetarët Ben Ali, Mubarak ose Ghadafi i kanë pasur të deponuara në bankat e Zvicrës.

Qeveria e re e Tunizisë i ka bërë Zvicrës një kërkesë për ndihmë juridike, i ka thënë radios zvicerane ambasadori në Tunis, Zellveger.  Sipas tij është e vështirë të zbulohet se në çfarë kontosh bankare mund të gjenden paratë e diktatorëve, të fituara pa të drejtë.

Pas kryengritjeve në Tunizi, Egjipt dhe në Libi, Zvicra pati bllokuar më shumë se 1 miliard franga të kryetarëve të rrëzuar dhe të qarqeve rreth tyre.