Shkurt.ch

Rrëzohet aeroplani, disa të vdekur

Në mes tre dhe pesë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë ajror që ka ndodhur sot pasdite në afërsi të komunës Tatroz të Kantonit të Friburgut.

Siç njofton portali 20minuten.ch dhe siç supozon edhe policia kantonale nga vendi i ngjarjes, në këtë fatkeqësi kanë humbur jetën të gjithë personat që ndodheshin në fluturake. Bëhet fjalë për banorë të fshatit ku ka ndodhur aksidenti.

Sipas dëshmitarëve okularë, aeroplani i vogël kishte bërë dy rrathë mbi fshat pasi që njerëzit në të dëshironin të përshëndetnin nmiqtë e tyre të ulur dhe po festonin në një terrasë. „Ka mundësi që piloti të jetë zënë në befasi nga era që kishte filluar të frynte”, thotë një dëshmitar.

Aeroplani kishte nisur fluturimin nga aeroporti i Lozanës Blecherette ndërsa nuk dihet drejtimi që kishte marrë.

Vetëm pak orë më parë, një aeroplan i vogël ishte rrëzuar në afërsi të liqenit Bodensee dhe, si për mrekulli, të dy personat që ndodheshin në të kishin shpëtuar pa lëndime.