Shkurt.ch

Edhe një pikturë e vjedhur i kthehet Zvicrës nga Serbia

Piktura “Ludovic Lepic dhe vajzat e tij” e piktorit të njohur Degas vlen 10 milionë franga

Në mesin e katër pikturave të shtrenjta që ishin vjedhur katër vite më parë nga muzeu Bührle i Cyrihut ka qenë edhe ajo “Ludovic Lepic dhe vajzat e tij” e piktorit të njohur Degas. Kjo pikturë që vlen 10 milionë franga, i është kthyer koleksionit “Bührle”, pasi që është gjetur muaj më parë, e vjedhur në Serbi.

Prokuroria e përgjithshme e Cyrihut njofton se për shkak të mbrojtjes së hetimeve publiku nuk qe njoftuar me kohë lidhur me ngjarjen. Që të gjithë, katër të dyshuarit për vjedhje tashmë gjenden në paraburgim në Serbi.

Në muajin shkurt të vitit 2008 nga koleksioni i muzeut  “Buhrle” qenë plaçkitur katër piktura që së bashku vlenin 180 milionë franga. Vetëm njëra nga to, piktura e Cezanit vlerësohet 100 milionë franga.