Integrimi

Dhuna është vetëm maja e ajsbergut

Dhuna e individëve në suaza të migrimit ka rrënjë të shumëllojshme dhe përgjigje të shumëfishta

© albinfo.ch

Në kuadër të një sërë debatesh të zhvilluara falë bashkëpunimit në mes të UPSH-së dhe platformës Albinfo.ch, mbrëmë u trajtua çështja e dhunës te disa të rinjë migrantë dhe lidhshmëria e saj qoftë me individin, kulturën e tyre të prejardhjes, qoftë me kontekstin migrues si dhe shoqërinë pritëse.

Panelistët e tryezës u përpoqën të japin këndvështrimin e tyre, duke u ushqyer kryesisht me shembuj konkretë të përjetuar në kuadër të profesionit të tyre.

© albinfo.ch: Zonja Karima Brakna, psikologe në shoqatën « Nous autres » (Ne të tjerët)

Zonja Karima Brakna, psikologe në shoqatën « Nous autres » (Ne të tjerët), që në hyrje nënvizoi faktin se çështja e dhunës përmban shumë rrënjë që duhet cekur. Sipas saj, “dhuna më e rëndë dhe që ka më së shumti ndikim është ajo që nuk shihet. Prandaj, fillimisht, para se të drejtojmë gishtin kundër veprës së dhunshme, çdo shoqëri do duhej të përballohet me disa pyetje ndaj vetvetes. Më konkretisht, theksoi psikologia, ne duhet të dimë çfarë lloj dhune përhapim ne si shoqëri, në veçanti përmes politikave tona për pritje të të huajve. Kur nisemi nga kjo pikëpamje, atëherë kuptojmë shumë shpejt se akti i dhunës është vetëm maja e ajsbergut që fsheh një strukturë të tërë shoqërore. Aty për aty, vepra dhunuese merr një kah më të zbehtë dhe shndërrohet në një vepër që rezulton nga një mori rrethanash.

Pikërisht, atëherë a mund të ndërlidhim dhunën me migracionin? Kurrsesi, pohoi psikologia. Dhuna nuk duhet të shikohet me syza të vogla. Dëshira për të dënuar dhunën pa u munduar ta kuptojmë bënë që ne të humbim çdo mundësi për ta shuar. Sipas zonjës Brakna, nuk mund të vejmë në pah një korrelacion mes migracionit dhe dhunës. Duke u bazuar në eksperiencën e saj, psikologia numëroi disa shkaktarë të dhunës: varfëria, familjet e pastrukturuara, pasiguria për ardhmëri (siç janë familjet pa leje qëndrimi të rregullt), si dhe në 80% të rasteve konsumi i alkoolit apo i drogave të ndryshme.

© albinfo.ch: Sylvie Arsever, gazetare e njohur për të përditshmen “Le Temps”

Si trajtohet çështja e dhunës nga mediet?

Sylvie Arsever, gazetare e njohur për të përditshmen “Le Temps”, solli pikëpamjen e saj në lidhje me idenë se mediet përcjellin paragjykime kundër të huajve kur flasin për dhunën, duke dhënë prejardhjen e vepruesve.

Ajo iu drejtua audiencës duke shpjeguar se gazetarët në Zvicër kanë një kod të etikës, në të cilin bëhet fjalë për diskriminim. Neni 8 i kodit thotë se gazetari duhet t’u shmanget termeve apo të dhënave që mund të çojnë deri te diskrimini i një grupi njerëzish. Prandaj, prejardhja fetare, gjinore, orientimi seksual, sëmundjet apo hendikepet fizike a mentale, shtetësia a origjina duhet të mos cekën. Këto elemente theksohen vetëm kur janë relevante për çështjen e trajtuar.

Megjithatë, zonja Arsever tha se nuk mendon se shtohet dilema mbi faktin nëse feshehja e prejardhjes së aktorëve të dhunës shkon në favor të popullatës përkatëse. Sepse, nëse gazetarët nuk japin elemente të tilla, atëherë partitë ekstremiste ngrihen në këmbë dhe manipulojmë duke brohoritur: “Shikoni, po na fshehin gjëra të padurueshme”.

Sipas gazetares, në vend se të fshihen gjërat, ato duhet të tematizohen dhe të bëhen çështje të debateve të ndryshme. Për shembull, nëse kapet një grup që ka ushtruar dhunë dhe që është me origjinë ballkanase, menjëherë duhet organizuar një debat, ku shtrohet pyetja: “A janë të gjithë ballkanasit të dhunshëm? Sipas gazetares Arsever, kjo është mënyra më e mirë për të çrrënjosur aty për aty paragjykimet.

© albinfo.ch: Agim Aliu, asistent social në Gjenevë dhe Michel Monnier, punëtor social dhe ligjërues në Shkollën e lartë sociale në Gjenevë

Si mund të luftojmë kundër kësaj dukurie?

Michel Monnier, punëtor social dhe ligjërues në Shkollën e lartë sociale në Gjeneve, bashkë me Agim Aliun, asistent social në Gjenevë, prezantuan reportazhin e tyre për trajtimin e dhunës. Zoti Monnier foli për hulumtimet e tyre në lidhje me qasjet e ndryshme tradicionale dhe moderne të përdorura në trajtimin e çështjes së dhunës. Falë prezantimit të tyre, u kuptua se edhe shoqëritë tradicionale kishin po aq zgjidhje sa praktikantët dhe teoricientët konvencionalë. Z. Aliu dhe z. Monnier thanë se të gjitha metodat duhet të merren parasysh në qoftë se duam të sjellim një përgjigje të përshtatshme kundër dhunës.

Dhuna ka rrënjë të shumëllojshme

Pas një orë e gjysmë debat, të gjithë ranë dakord se duhet t’u shmangemi kurtheve potenciale në trajtimin e dhunës, njëra prej tyre qëndron te dëshira për t’i thjeshtësuar tepër gjërat, duke u munduar të t’u ikim pasojave nga shkaku i efekteve. Është e domosdoshme të theksohet se shkaktarët, faktorët, arsyet e dhunës janë të shumëllojshme dhe ajo nuk zhvillohet pavarësisht kontekstit socio-ekonomik, kulturor apo familjar. Asnjë parametër nuk duhet mbetur anash kur kërkojmë një trajtim të shëndoshë të saj. Prandaj, duhet pasur parasysh nivelet e analizës në zbërthimin si dhe tejkalimin e këtij fenomeni, duke u nisur nga individi, familja, konteksti migrues, kultura e prejadhjes si dhe shoqëria pritëse.

© albinfo.ch

Foto galeri