Portrete të firmave

Arkitekti kumanovar: Ndërtimet duhet t`i qëndrojnë kohës

 33 vjeçari Nefail Ademi me prejardhje nga fshati Hotël i Kumanovës, udhëheq kompaninë e arkitekturës “N2A”. Ndërtimet që i bën kjo kompani, kanë arkitekturë unike që është e destinuar për t`i qëndruar kohës

“N2A“ ka zyrat në objektin e njohur “Black Office”, në dalje të qytetit Widnau. Prej aty, dalin skica e projekte, që realizohen në mbarë Zvicrën gjermanofolëse.

Kompania e Nefail Ademit ndërton objekte me një arkitekturë unike, ku secili objekt është i predestinuar të këtë karakterin e vet.

Arkitektët e kompanisë “N2A” janë të angazhuar kryesisht në objekte banesore të banimit kolektiv, “sepse aty janë kërkesat më të mëdha”, na thotë shefi i kompanisë.

Kompania e arkitekturës që drejtohet nga 33 vjeçari Nefail Ademi, ka 20 projekte që aktualisht i realizon në faza të ndryshme.

“Ne kërkojmë gjithnjë të punojmë me teknologjinë me të re. Me materialet aktualisht më të zhvilluara, kërkojmë  zgjidhje që i japin objektit një karakter unik dhe nuk bëjmë një fasadë sa për sye e faqe, e pa kurrfarë konstruksioni”.

Nuk ndjekim trendin por vlerat e qëndrueshme

Sipas arkitektit Ademi, qytetet kanë një fillim dhe asnjëherë një mbarim. Arkitektët krijojnë një vend të ri duke marrë për bazë arkitekturën e qytetit ekzistues.

“Në fakt, ne kurrë nuk ndërtojmë një qytet komplet të ri, ne marrim atë qytet që kemi, atë strukturë urbanistike, dhe e ndryshojmë duke u munduar të gjejmë zgjidhjen më të mirë në kontekstin që kemi”.

Në Zvicër ka shumë rregulla e norma të cilave ata duhet t`u përmbahen dhe këto ua kufizojnë pak kreativitetin arkitektëve. Por kjo nuk e brengos udhëheqësinë e kompanisë „N2A“. “Ne edhe ashtu nuk i ndjekim shumë trendet, sepse pas dy e tri vitesh shfaqet prapë një trendi i ri”, na thotë djali me prejardhje nga fshati Hotël i komunës së Likovës, në rrethinën e Kumanovës.

“Një ndërtesë ka jetëgjatësi 50 deri 100 vjet dhe ka për t`i kaluar disa trende, prandaj ne mundohemi të gjejmë një arkitekturë që i reziston kohës së trendit e që ka një dizajn pa afat kohor”, shprehet Ademi, të cilin e impresionon më tepër ambienti i jashtëm dhe urbanizmi. “Aty është dimensioni që shtrihet tek shumë njerëz, ambienti i brendshëm është një shije personale”, vlerëson Ademi.

Përvoja e arkitektëve të vjetër dhe kreativiteti i atyre të rinj

Arkitekt i mirë është ai që analizon të dhënat, vendin, qytetin, kulturën dhe përmes projektit jep përgjigjen nga të dhënat që ka mbledhur.

“Gabimi më i madh i një klienti është nëse i kërkon një arkitekti një ofertë pa e ditur çfarë ka ndërtuar ai arkitekt, çfarë referencash ka“, porosit Ademi, i cili është kujdesur që në firmën e tij të ketë arkitektë të rinj e kreativë, por edhe të vjetër e me eksperiencë të gjatë pune.

„Kemi arkitektë me eksperiencë të gjatë dhe arkitektë të rinj e me ide të reja. Harmonizimi i ideve mes të riut dhe arkitektit të vjetër jep rezultate mahnitëse”, thotë Ademi. Ai është i bindur se: “një objekt nuk ndërtohet ose dizajnohet kurrë vetëm prej një njëriu, por dizajnohet në grup, ku vizatuesi teknik i ri bashkëpunon me arkitektin e vjetër e me përvojë. Domethënë kemi kreativitetin dhe eksperiencën“.

Ata nuk i ofrojnë kurrë klientit një projekt të nxjerrë nga sirtari. „Çdo kërkesë e analizojmë nga pika zero, me ç`rast përmes bashkëbisedimit kërkojmë e projektojmë zgjidhjen më optimale për klientin“, na thotë Ademi i cili ka në kompaninë e tij tre arkitektë dhe dy vizatues teknikë.

 

I pari shqiptar që ka studiuar arkitekturën në Liechtenstein

„Aspiratat e mia, prej se e mbaj mend, kanë qenë për t’u bërë arkitekt. Rruga e suksesit ka filluar me zanatin apo shkollën profesionale si vizatues teknik i ndërtimeve të larta. Njëkohësisht kam ndjekur edhe maturën dhe kjo më ka dhënë mundësinë që pas katër vitesh ta mësoj vizatimin teknik dhe procesin e planifikimit“, na tregon shefi i kompanisë së arkitekurës, Nefail Ademi.

Ademi ka mbaruar studimet për bachelor në Universitetin e Vaduzit si shqiptari i parë që ka studiuar arkitekturën në Principatën e Liechtensteinit, kurse studimet master i ka ndjekur në drejtimin (Sustainable Design) dizajn i qëndrueshëm.

Arkitektura, një ndërthurje shkencash dhe arti

„Arkitektura me ka pëlqyer shumë sepse ngërthen në vete shumë shkenca. Në hapin e parë merresh me ligje të ndërtimit -pastaj me dizajn, në fazën tjetër me konstruksion, me art, me statikë me fizikë e në fund financa edhe menaxhim. Është profesion teknik që kërkon një bashkëdyzim të të gjitha këtyre veçorive për të ardhur deri në një përfundim arkitektural që shpreh idenë“.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Publireportazh