Opinione
“Anormopatia”, një botim krejt ndryshe
“Anormopatia” është një devijim, një digresion nga tema, një shteg i ri letrar, një burim i ri frymëzimi të rrufeshëm që paskëtaj i jepet, i dorëzohet aq natyrshëm lëçitësit shqiptar, duke i hyrë atij në vena e duke ia pushtuar pak nga pak universin mendor...
E di që ky titull, për ata që letërsinë e Shkumbin Gashit, apo edhe vetë autorin si person, e njohin drejtpërdrejt, mund t’u duket pakëz i thatë, ndoshta edhe i ripërdorur apo klishe, por çështja është që nuk gjej dot titull tjetër më të duhur e më të përshtatshëm për ta përshkruar më qartë ç’ ndjesi më lë ky libër menjëherë pas leximit me një frymë të tij.
Duan të thonë për librat se kur rrekesh të bësh një recension për to, nuk është e rastit t’ua shpërfaqësh fabulën haptazi për publikun, pasi kështu do të binte jo interesi (ai nuk bie kurrë për një libër cilësor, siç është ky për të cilin po flasim), por kërshëria e lexuesit sqimatar shqiptar, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një krijim kaq origjinal, njëherazi edhe të thellë e tejet modern.
Fakt është që ndoshta tërë cilësimet që sapo ofrova më sipër nuk përmblidhen dot vetvetiu në termin “ndryshe”, por ja që ky term më rezulton më besniku ndaj një libri të këtillë, të këtij niveli e cilësie dukshëm përtej mesatares së botimeve të sotme shqipe.
“Anormopatia”, titulli i librit, faktikisht është edhe një lëkurë e dytë për këtë libër, një refuzim ndoshta i pavetëdijshëm, por krejt realist e fort i qenësishëm i kanoneve, rregullave, mënyrës së të menduarit, stilit të të shkruarit, normave të pashkruara, mendësisë letrare e gjithçkaje tjetër që karakterizon pluskimin aktual të letërsisë shqipe (me të gjitha përjashtimet e rastit sigurisht, pa dashur kurrsesi të bie në vetëkënaqësinë e bërjes së përgjithësimeve të kota e të paqena).
“Anormopatia” është një devijim, një digresion nga tema, një shteg i ri letrar, një burim i ri frymëzimi të rrufeshëm që paskëtaj i jepet, i dorëzohet aq natyrshëm lëçitësit shqiptar, duke i hyrë atij në vena e duke ia pushtuar pak nga pak universin mendor, duke arritur në këtë mënyrë shumë normalisht që ta përthithë lexuesin në vorbullat ekzistenciale të kryepersonazhit të faqeve të këtij libri, në manitë e tij të pavetëdijshme, në imagjinatën, në personazhet e përfytyruara të komës së tij disavjeçare, në udhët e qytetit të tij, nëpër korridoret e çmendinës dhe banorëve të saj aq unikë, më tepër se thjesht të rrallë.
Është një libër i shenjuar nga një kërkim aq i përkryer i të paarritshmes, siç do të mund ta cilësoja, i të paarritshmes në kontekstin e diçkaje krejt të ndryshme, i një dritareje të re nga e cila falë edhe këtij libri dhe autorit të tij kaq premtues tashmë mund të soditë një diapazon e horizont të ri edhe letërsia shqiptare e këtij mijëvjeçari që, për fat, na sjell edhe të tillë autor që ta ka ënda t’i lexosh e të mbetesh thellësisht i impresionuar prej guximit të tyre letrar, sa edhe njëkohësisht prej aftësisë për të bërë risi me një roman të këtij lloji.
“Anormopatia”, pra, të befason, e befasia është diçka që letërsinë e ka shoqëruar prej natës së kohëve, siç jemi të vetëdijshëm të gjithë ne lexuesit.
Pa befasinë letrare, asnjë shkrimtar në armët e para (në përvojat e tij/saj të para letrare) nuk do të kishte mundur të depërtonte në konsideratën e kritikës gjithsesi, por pikësëpari në gjykimin pozitiv dhe në mbresat mirëdashëse të lexuesve, atyre që pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht promovimeve mediatike apo vlerësimeve të specialistëve përkatës të kësaj fushe, në llogari të fundit gjithnjë vendosin krejt sovranë për lexueshmërinë dhe suksesin e një botimi të ri.
E suksesi i një libri kështu ndodh të përcaktohet nga befasia (në sensin më të mirë të mundshëm) që ai ngjall e shkakton te lexuesi qysh në rreshtat e parë që syri ynë has, e me të cilët prezantohet në faqen e parë të një libri.
Gjë kjo që pa dyshim ndodh në këtë libër që të bën për vete përnjëherë, me një temp, një ritëm ngjarjesh, një shtjellim tejet të rrjedhshëm, një fjalor të pasur e narrativ të plotë, që sendërtohen me lirinë tipike krijuese të një autori kaq të pjekur e të sigurt në vetvete, si Shkumbin Gashi, e që e mbajnë lexuesin në atë tensionin e këndshëm të kërshërisë përherë të ndezur gjer në fundin e faqes së fundit të kapitullit XXIII, tituj-ndjellës të këtij libri.
Mos ngurroni t’ia jepni vetes kënaqësinë ta lexoni, pra, aq më tepër në këtë fundviti 2017.
Përgatiti:
ELVI SIDHERI
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha