Kosova

Elen “sjell diellin” nga Kosova, në Gjermani dhe në Zvicër

Në një intervistë për albinfo.ch, menaxheri i kompanisë “Elen” flet për zgjerimin e biznesit me energjinë e ripërtëritshme, përkatësisht me energjinë solare dhe për potencialin që ka Zvicra në këtë fushë

Lulzim Syla është partner menaxhues në kompaninë Elen dhe Elen GmbH në Gjermani, e specializuar në fushën e energjisë. Gjithashtu është bashkëthemelues i inkubatorit për energji “Next25”, Klasterit të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare në Prishtinë. Syla është i angazhuar edhe në shumë projekte të tjera në fushën e energjisë dhe zhvillimit ekonomik. Ai, me firmën Elen po kërkon partnerë edhe në Zvicër. Në një intervistë për albinfo.ch tregon për zgjerimin e biznesit të tyre me energjinë e ripërtëritshme, përkatësisht me energjinë solare dhe për potencialin që ka Zvicra.

Albinfo.ch: Cila është kategoria e klientëve që ju i ndihmoni me zgjidhjet që ofroni si kompani?

Lulzim Syla: Kompania Elen përbëhët nga tre partnerë menaxhues, Avni Syla, Afrim Syla dhe Lulzim Syla. Kompania Elen që nga themelimi i saj në vitin 1992 merret me produkte dhe shërbime në fushën e energjetikës ndërsa vitet e fundit jemi fokusuar fuqishëm edhe në fushën e energjisë së ripërtëritshme, përkatësisht në energjinë solare. Nga kjo fushë tani kemi krijuar një përvojë të madhe duke realizuar me qindra projekte të vogla e të mëdha dhe zgjidhjet tona janë të fokusuara në zvogëlimin e shpenzimeve të energjisë tek klientët e biznesit dhe ata familjarë përmes instalimit të paneleve solare fotovoltaike.

Çfarë ju bën ju konkurrues, çka përfaqëson teknologjia që përdorni?

Përvoja e gjatë në këtë fushë edhe si pioner dhe si lider i kësaj fushe në regjion, ka bërë që të sjellim në treg kompanitë më prestigjioze në treg në fushën e energjisë solare.

Kompania jonë ofron produktet e fjalës së fundit, duke ofruar rendiment të lartë të produktivitetit të prodhimit të energjisë nga panelet solare prodhuara me teknologji shumë të lartë, duke vazhduar me invertorët inteligjent dhe sistemet kontrolluese elektronike përcjellëse që mundëson kontrollin nga distanca edhe për klientin.

Çfarë sillni pozitive në këtë industri, cilët janë hapat e kësaj teknologjie në Evropë, e SHBA. Dhe ndërkohë, në rajonin tonë çfarë po ndodh?

Për fat të mirë, kërkesa e madhe në rritje ka krijuar si rezultat edhe çmime të mira për klientin final, kështu që industria e energjisë solare ka sjellë avancime të mëdha teknologjike duke rritur produktivitetin dhe duke i mundësuar klientit prodhim të energjisë elektrike me kosto shumë të ulët. Ky trend pozitiv ka arritur edhe tek ne dhe vetëdija për përdorimin e kësaj lloj energjie është në nivel të kënaqshëm, duke i shtuar kësaj edhe faktin që Elen ka sjellë çdo herë në treg produkte adekuate dhe efiçiente.

Çmimet e arsyeshme për instalim të sistemeve solare që jemi duke ofruar, dhe në anën tjetër, rritja e çmimit për çdo vit e gjithashtu siguria jo e qëndrueshme e furnizimit me energji në të ardhmen, ka rritur në masë të madhe kërkesën për të vendosur panelet solare në kulmet e bizneseve dhe shtëpive private.

Zgjerimi në tregun e Zvicrës, ku i shihni potencialet e energjisë solare në këtë vend?

Për fat të mirë tani Zvicra ka miratuar me referendum ligjin për furnizim të vendit me energji përmes prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme siç është edhe energjia solare, duke i mundësuar klientit familjar dhe biznesit të vendosë sistemin solar. E gjithë kjo, duke u mbështetur edhe nga shteti përmes subvencioneve dhe për rastet kur prodhohen në kapacitete të mëdha të ju garantohet një çmim i caktuar për shitje të energjisë për disa vite.

Zvicra konsiderohet një vend i përshtatshëm për prodhim të energjisë sepse ka mesatarisht shumë diell gjatë gjithë vitit, ka tokë mjaft, dhe biznese me numër të madh që mund t`i shfrytëzojnë edhe kulmet e veta për prodhim të energjisë.

Përveç sistemeve solare, “Elen” ofron edhe të gjitha llojet e kapaciteteve të baterive për ruajte të energjisë që njihen si “Energy Storage” që mundësojnë ruajtjen e energjisë në çdo kohë dhe të kursejë klienti më shumë para.

Elen kërkon partner në tërë tregun e Zvicrës

Elen, nga vitit 2014 ka hapur edhe filialin e vet në Gjermani si Elen GmbH dhe përmes kësaj dege planifikon që të zgjerohet edhe në tregje të tjera gjermano-folëse siç janë Zvicra e Austria. Duke pasur parasysh numrin e madh të bizneseve shqiptare nga fusha të ndryshme dhe kërkesën e madhe për energji solare, menaxhmenti i kompanisë Elen vlerëson se është koha e duhur për të  ndërtuar partneritet në çdo qytet të Zvicrës për energji solare.

BIO Elen:

Elen është kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve të projektimit, instalimit të sistemeve elektro-energjetike, energjisë së ripërtëritshme, këshillimeve teknike dhe zgjidhje në efiçiencë të energjisë. Elen është biznes familjar dhe vepron prej 25 vite pra është në treg që nga viti 1992.

Si një lider i njohur prej vitesh në Kosovë, tashmë synojmë të shtrijmë aktivitetin edhe në rajon. Duke përdorur dhe vlerësuar zgjidhjet teknologjike më të fundit të ofruara nga partnerët e saj, Elen po pasuron dhe thjeshtëson format dhe mundësitë e bartjes së energjisë elektrike në mënyrë që ajo të përdoret kudo dhe në çdo kohë në mënyrë sa më efiçiente.