Shkurt.ch

Gjermanët të vendosur për Xhakën

Klubi gjerman Monchengladbach ka shprehur interesim edhe për talentin tjetër kosovar Besnik Rrustemjan

Borussia Monchengladbach duket të jetë mjaft e interesuar për ta transferuar mesfushorin kosovar Granit Xhaka. Klubi gjerman ka filluar ta përgatisë terrenin për ta transferuar në Bundesligë gjatë verës përfaqësuesin zviceran.

“Jemi mjaft të interesuar. Djaloshit do t’i shkonin punët mjaft mirë me ne”, theksoi të hënën drejtori sportiv i klubit gjerman, Max Eberl, për mediet gjermane, transmeton Express.

Ditë më parë, mediet gjermane shkruanin se drejtuesit e Monchengladbachut janë marrë vesh me 19 vjeçarin. Por, ata duhet të bisedojnë me Baselin për ta blerë kartonin e futbollistit.

“Ka shumë klube të interesuara për të, kështu që kemi konkurrencë të fortë. Tash duhet të bisedojmë me Baselin”, vazhdoi Eberl.

Për Xhakën interesim kanë shfaqur edhe dy klubet tjera gjermane; Hamburg e Bayern Munich; ato angleze; Manchester United, Liverpool, Chelsea e Arsenal si dhe skuadrat italiane Juventus e Milan.

Ndërsa klubi gjerman Monchengladbach ka shprehur interesim edhe për talentin tjetër kosovar Besnik Rrustemjan, i cili aktivizohet me ekipin suedez Kalmar.