Shkurt.ch

Zvicra më e prekura nga kanceri në Evropë

Rritje e theksuar e kancerit në Zvicër

Me 2000 raste të reja të melanomës së lëkurës të diagnostikuara çdo vit, Zvicra arrin në krye të vendeve evropiane më të prekura nga ky kancer. Numri i rasteve të regjistruara është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, sidomos te meshkujt.

Gjatë periodës 2004-2008 shkalla e rasteve të reja të diagnostikuara çdo vit është pak më e ulët për gratë (21 gra për 100.000) e 23.4 meshkuj për 100,000, ka pohuar të hënën Zyra Federale e Statistikave (SFO).

Gjatë periodës 1984-1988 dhe 2004-2008 shkalla e rasteve të reja është rritur më pak te gratë (50%) sesa te meshkujt (80%).

Meshkujt, më pak të vëmendshëm

Burrat kanë më pak gjasa të mbrohen kundër diellit sesa femrat: 79 për qind kundrejt 89 për qind në vitin 2007. Ata gjithashtu më pak kryejnë kontroll të lëkurës te mjeku (33% kundrejt 37 për qind te gratë). Mbrojtja kundër diellit është edhe më pak e shprehur në mesin e meshkujve me arsim të ulët apo me të ardhura të ulëta, vërehet nga SFO.

Një fushatë nacionale për parandalimin e këtij lloj kanceri do të zhvillohet më 7, 9 dhe 11 maj. Me këtë rast, një numër i madh i dermatologëve do të ofrojnë falas ekzaminimin paraprak të shenjave të dyshimta në lëkurë, ka bërë të ditur Shoqëria zvicerane e dermatologjisë dhe verologjisë.