Integrimi

Arkitekti nga Kosova, autor projektesh në “Bregun e artë” të Cyrihut

Përvoja shumëvjeçare dhe rrjeti që ka krijuar Ibrahim Sylaj si arkitekt në Zvicër kanë bërë që atij t’i besohen projekte në zonën me luksoze të liqenit të Cyrihut

Të gjithë ata që duan të jetojnë në lagjen shumë të njohur dhe luksoze të Cyrihut, në “Bregun e artë (“Goldküste”), duhet të gërmojnë thellë në xhepat e tyre dhe mbase për disa do të mbetet kjo vetëm ëndërr!

Edhe autoritetet komunale me xhelozi ruajnë vlerat historike të kësaj pjese të Kantonit të Cyrihut dhe përkujdesën në veçanti lidhur me ndërtimet e reja në këtë zonë.

Ibrahim Sylaj, arkitekti i ardhur nga Kosova, me një skicë në dorë po i inspektonte punimet finale në një ndërtese të vjetër, të cilën me kërkesën e investitorit e kishte shndërruar nga një objekt me zyra pune dhe një restorant i vjetër e me emër, në një objekt banimi luksoz me 7 apartamente.

Projektet në “Bregun e artë” të liqenit të Cyrihut

Nuk kishte shkelur krejt rastësisht këmba e arkitekti shqiptar në këto lagje të njerëzve të pasur të Cyrihut.

Referencat e shumta të projekteve gjithandej në Zvicër dhe përgatitja profesionale kanë bërë që arkitektit nga Kosova t’i besohet edhe projekti për sanimin dhe rifunksionalizimin e këtij objekti monumental mu në zemër të “Bregut të artë”, (“Goldküste”), në Küsnacht të Cyrihut.

“Shumë sfiduese në projektin e objektit të mbrojtur dhe me vlera të veçanta ishte sanimi si dhe ndërrimi i destinimit, duke e ngritur paralelisht edhe vlerën arkitekturore dhe rrezatuese të tij”, thotë Sylaj, duke theksuar se në Zvicër në çdo fshat dhe qytet ruhet, kultivohet dhe mbrohet me shumë kujdes bërthama e tyre e vjetër.

Projektin e parë që e ka realizuar në Cyrih ishte renovimi i recepcionit në “Hotel Glärnischhof”, tregon Sylaj.

Pastaj ai numëron projektet dhe realizimet e tjera në Cyrih dhe në brigjet e njohura të liqenit të Cyrihut, si në Kilchberg, Rüschlikon, Thalvil, por edhe në “Bregun e artë”, të njohur këtu si “Goldküste”, Herrliberg, Erlenbach, Küsnacht, etj.

Ballafaqimi me parcelën, sfida e parë e një arkitekti

Sfidë për arkitektin është ballafaqimi i parë me parcelën dhe zonën ku do të ndërtohet objekti. Detyrë e arkitektit është për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga kjo parcelë.

“Kjo fillon me kërkimin e një funksionaliteti maksimal të parcelës, pason me zgjidhjen arkitekturore, duke hulumtuar edhe karakterin që do të fitojë objekti dhe përfundon me leverdinë financiare për investitorin, që duhet të sjellë një investim i tillë”.

“Kreativiteti im si arkitekt dhe planifikues urban starton qysh në fillim të kësaj faze studimore”, tregon Sylaj, i cili ka specializuar planifikimin hapësinor në Universitetin e Cyrihut.

“Një arkitekt dhe urbanist i mirë e me përvojë arrin të shfrytëzojë tërë resurset dhe potencialin e mundshëm që ka parcela apo objekti ekzistues konform ligjeve ndërtimore në fuqi, e që në nuanca jo të parëndësishme dallojnë nga komuna në komunë, ngjashëm edhe nga kantoni me kanton, për të nxjerrë maksimumin e sipërfaqes për shfrytëzim për investitorin”, thotë më tutje Sylaj.

Për këtë, edhe është i kërkuar arkitekti nga Kosova në këtë zonë, ku një metër katror toke ndërtimi kap shumën deri edhe mbi 4 mijë franga.

Me krenari na tregon arkitekti se si në një parcelë ndërtimi prej afër 1350 m2 në Herrliberg ai kishte sfiduar një zyrë të tërë arkitektësh zviceranë, ish-pronarë të parcelës, duke nxjerrë dhe realizuar me dhjetëra metra katrorë më tepër sipërfaqe banimi në të, e duke nxjerrë kështu një mbivlere prej mbi 1 milion frangash për investitorin.

I specializuar në Universitetin ETH të Cyrihut

Ibrahim Sylaj kishte diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në vitin 1987 në Prishtinë. “Ishte krenari të jesh student i profesorëve me renome ndërkombëtare në arkitekturë, enterier dhe urbanizëm”, evokon kujtimet nga studimet në Prishtinë.

Megjithatë, arkitektit në vitet e 90-ta i është dashur për t’i dhënë të gjitha provimet përmbledhëse në degën e Arkitekturës në ETH Cyrih, ku ishte doktorant, e ku në vazhdim fitoi të drejtën e studimeve pasuniversitare në Institutin për Planifikim Hapësinor, ORL Institut, ETH Zürich.

Këto studime arkitekti i ka përfunduar në vitin 1993 me temën  “Vorgaben für touristische Konzepte in Albanien, am Beispiel des Durres Gebietes’’.

Kur flasim për dallimet e punës së arkitektit këtu dhe në Kosovë, arkitekti Sylaj përgjigjet: “Këtu para së gjithash është një qasje ndryshe ndaj punës që bën arkitekti me investitorin. Për dallim nga Kosova, këtu ekziston një komunikim shumë sfidues, intensiv dhe kreativ ndërmjet arkitektit dhe investitorit.

Arkitekti Ibrahim Sylaj është bashkautor i një mori projektesh arkitekturore dhe të dizajnit të hoteleve me prestigjioze në St. Moritz, Pontressina, Arosa, Flims Waldhaus, Zermatt, Interlaken, Luzern, Thun, Zürich etj. Ai ka bashkëpunim me arkitektë shumë të njohur, si Jo Brinkmann, Carbone Design, Roland Shön, CAPS Architekten etj.

Viteve të fundit, Ibrahim Sylaj me firmën e tij projektuese “IMS ARCHITEKTUR” me shumë është duke projektuar dhe realizuar rezidenca të banimit në zonat më të preferuara në Cyrih dhe brigjet e njohura të liqenit të Cyrihut.