Shkurt.ch

Iniciativë për të ardhurat bazë pa punë!

Sipas llogarive të bartësve të kësaj iniciative, zbatimi i saj do të kushtonte 200 miliardë franga

Në Bernë ka filluar grumbullimi i nënshkrimeve për iniciativën “Për të ardhura bazë të pakushtëzuara”.

Iniciuesit konsiderojnë se të ardhurat bazë janë një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme qytetar për ekzistencë. Sipas tyre, secili qytetar  duhet të marrë për çdo muaj nga 2500 franga, pavarësisht a punon a jo, ndërsa fëmijët do të merrnin një të katërtën e kësaj shume.

Sipas llogarive të bartësve të kësaj iniciative, e gjithë kjo do të kushtonte 200 miliardë franga. 110 miliardë prej tyre do të nxirreshin nga tatimi për konsum, të cilat do të orientoheshin në arkën e të ardhurave bazë ndërsa 70-80 miliardë tjera përmes kursimeve të enteve sociale. Ndërkaq edhe për iniciatorët mbetet e hapur se si do të siguroheshin 20 deri 30 miliardët e mbetur.

Sipas një shpjegimi të tyre, një i punësuar me rrogën 5000 franga në muaj, 2500 do t`i merrte nga fondi i “të ardhurave bazë” dhe 2500 të tjera në emrin e rrogës. Ndërsa të papunësuarit do të marrin vetëm bazën, pra 2500 franga.

Një iniciativë e ngjashme pati dështuar vitin e kaluar duke mos mundur të grumbullonte numrin e nevojshëm prej 100 mijë nënshkrimeve.