Integrimi
Kuvendi shqiptar, i domosdoshëm*
Në këtë mënyrë mërgata do të faktorizohet, integrohet dhe do ta marrë vendin që i takon
Vitin e kaluar në Zvicër është themeluar Kuvendi Shqiptar, ngjarje kjo tepër e rëndësishme për mërgatën shqiptare. Sado që është përfolur se themelimi i Kuvendit është përcjellë me mangësi të shumta, shikuar si ide dhe qëllim, mund të thuhet se është bërë hapi i parë konkret dhe mëse i domosdoshëm lidhur me organizimin dhe përfaqësimin dinjitoz të mërgatës shqiptare në Zvicër.
Dihet se në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar dhe në dekadën e parë e këtij shekulli, mërgatën shqiptare në Zvicër e kanë përcjellë një varg vështirësish organizative : E organizuar në degë të partive politike, në shumë klube, shoqata e asociacione të ndryshme humanitare, fetare dhe regjionale, ajo është ballafaquar me probleme serioze të natyrave të ndryshme. Shpeshherë e parcializuar, e përçarë dhe pa ndonjë koordinim të mirëfilltë të veprimtarive. Kjo e ka penguar në masë të madhe integrimin në shoqërinë zvicerane, por edhe ka zbehur rolin e mërgatës në përgjithësi.
Shqiptarët në Zvicër, duke u marrë bukur shumë me vetveten , asnjëherë nuk kanë arritur të bëhen faktorë real dhe ta përcaktojnë si duhet pozitën e vet në vendin ku jetojnë. Si e tillë, mërgata shqiptare përkundër kontributit të madh, është margjinalizuar dhe siç thuhet me të drejtë në shumë raste është lënë pasdore. Pavarësisht se mërgata edhe sot është shtylla kryesore ekonomike e shtetit të Kosovës, në mungesë të organizimit adekuat, vetvetiu është defaktorizuar deri në atë masë sa pothuaj të mos përfillet në asnjë proces të zhvillimit shoqëror, të shfrytëzohet e të manipulohet në mënyrën më të keqe të mundshme.
Ideja për themelimin e Kuvendit Shqiptar në Zvicër, në fakt është një e arritur e madhe që ka për qëllim bashkimin e mërgatës në një pikë të përbashkët. Kjo do të thotë bashkimin e potencialit kombëtar, intelektual, ekonomik, arsimor, fetar, kulturor e sportiv. Në këtë mënyrë shqiptarët në Zvicër para së gjithash do të bëhen një partner serioz pran institucioneve të shtetit zviceran. Pastaj do të paraqesin në mënyrë profesionale vlerat më të mira të popullit shqiptar dhe do të jenë pjesëmarrës direkt në të gjitha zhvillimet pozitive në vendin ku jetojnë. Kjo do ta përmirësonte në mënyrën më të mirë imazhin e komunitetit shqiptar. Nga ana tjetër një organizim i tillë, mjaft i fuqishëm, sigurisht se do ta kushtëzonte mënyrën e bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet shtetërore të Kosovës, duke evituar njëkohësisht manipulimet e ulëta të individëve të ndryshëm të cilët në emër të “patriotizmit” dhe të “institucioneve” shtetërore të Kosovës, përpiqen të zhvatin për interesa personale e partiake. Për fat të keq, të tillëve deri tani mërgata u është kujtuar vetëm në prag të fushatave elektorale
Këto dhe shumë arsye tjera duhet gjithsesi të reflektojnë pozitivisht tek të gjithë përfaqësuesit e subjekteve shqiptare, tek të gjithë intelektualët, njerëzit me ndikim dhe tek çdo shqiptar në Zvicër. Në asnjë rast të mos bëhen pengesë, por t’a ndihmojnë me të gjitha mundësitë dhe në të gjitha rrethet organizimin e Kuvendit Shqiptar. Ndonëse me shumë vonesë, ka ardhur momenti i duhur që mërgata shqiptare më në fund të këndellet, të dalë nga vetizolimi dhe të faktorizohet në raport me rolin e madh që mund ta luajë në të gjitha zhvillimet.
Është e domosdoshme që në rrethanat e një organizimi të ri gjithëshqiptar të përkrahet gjenerata e re, intelektualët dhe të tjerët që janë shkolluar e integruar mirë në Zvicër. Po ashtu është obligim moral i të rinjve ta kenë në konsideratë veprimtarinë e gjeneratës më të vjetër , ta vlerësojnë drejtë dhe dosido të nxjerrin mësime nga përvoja e tyre shumëvjeçare. Pra, në Kuvendin Shqiptar duhet të përfaqësohen të gjithë shqiptarët, përmes më të diturve dhe më të mirëve nga të gjitha trojet që kanë për qëllim të vetëm përfaqësimin dinjitoz dhe afirmimin e vlerave sublime të shqiptarëve.
Në këtë mënyrë sigurisht do të arrijnë ti kapërcejnë të gjitha “inatet”, “xhelozitë”, “kapriciet ballkanase” dhe ndasitë ideologjike të cilat në kohët e mundësive të mëdha janë bërë pengesë serioze për integrimin dhe bashkimin e popullit shqiptar në familjen e madhe evropiane. Mbetet që gjatë këtij viti, Kuvendi Shqiptar në Zvicër të konsolidohet si duhet dhe të shtrihet kudo si përfaqësues, legal, demokratik dhe legjitim i të gjithë shqiptarëve. Që të arrihet kjo nevojitet ndihma e të gjithëve, pa përjashtim!
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës