Shkurt.ch

Kapet banda shqiptare-gjermane, ka kryer 363 plaçkitje

Policia thekson se kjo bandë ka kryer plot 363 vjedhje me thyerje nga janari i vitit 2011 në gjashtë republika të ndryshme të Gjermanisë

Një bandë e përbërë nga 4 meshkuj shqiptarë dhe dy femra gjermane është kapur këto ditë, e dyshuar për 360 sulme me plaçkitje trezorësh, të kryera brenda më shumë se një viti në disa republika të Gjermanisë. Shuma e dëmit që kanë shkaktuar llogaritet rreth 1.2 milion euro. Banda është kapur në Offenbach në republikën Rheinland-Pfalz. Në aksion kanë marrë pjesë njësite të ndryshme të rregullta dhe speciale të policisë.

Policia i kishte rënë në gjurmë bandës në tetorin e vitit të kaluar, njofton policia e regjionit të Trierit. Por në mars 2012 ka filluar aksioni i koordinuar për kapjen e saj, duke identifikuar dhe përgjuar lëvizjet e saj që nisnin nga regjioni Rhein-Mein dhe shkonin në drejtime të ndryshme. 

Pjesëtarët e dyshuar të bandës i fillonin aksionet e tyre gjatë natës, me ç`rast sulmonin kryesisht zyrat në objektet në zona industriale. Pasi thyenin rrethojat dhe dyert ata kërkonin trezorët, të cilët i thyenin ose i hapnin në ndonjë mënyrë tjetër.

Policia thekson se në këtë mënyrë kjo bandë ka kryer plot 363 vjedhje me thyerje nga janari i vitit 2011 në republikat (landet) Bayern, Baden-Württemberg, Hessen, Nordrhein-Westfalen, Niedersachsen dhe Rheinland-Pfalz.

Të arrestuarit janë dy femra gjermane të moshës 22 dhe 41 vjeçare dhe katër meshkuj me shtetësi të Shqipërisë respektivisht të Kosovës të moshave 18 dhe 36 vjeçare. Ndërsa një femër tjetër 23 vjeçe me shtetësi shqiptare është liruar.

Të arrestuarit me dyshimin se i takojnë një bande plaçkitësish i ngarkon akuza për vjedhje të rëndë dhe i presin dënime me heqje lirie.