Maqedonia

VMRO e inatosur në drejtësinë, proteston para Qeverisë

Në thirrjen e kësaj partie për protesta theksohet se “Kur drejtësia është shkelur, atdheu dobësohet”

Irritimi i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE po vazhdon kundër gjyqësorit maqedonas. Kjo parti që drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave kundër valës së arrestimeve të ish zyrtarëve të kësaj partie dhe personave të tjerë të përfshirë në dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prillit.

Protesta e sotme do të zhvillohet përpara Ministrisë së Drejtësisë.

Në thirrjen e kësaj partie për protesta theksohet se “Kur drejtësia është shkelur, atdheu dobësohet”.

Simpatizantë të VMRO-së tanimë disa ditë me radhë protestojnë në lokacione të ndryshme, pas vendimit të Prokurorisë Publike për ndjekjen e 36 personave, në mesin e të cilëve edhe 6 deputetë të VMRO-DPMNE-së për veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë” lidhur me ngjarjet në Kuvend.

Ndryshe, më 27 prill të këtij viti, deputetët e Maqedonisë, që sot përbejnë shumicën parlamentare u sulmuan nga huliganët e VMRO DPMN-së, disa nga të cilët edhe mbetën të lënduar seriozisht. Protesta ishte e sinkronizuar dhe koordinuar nga disa deputetë të partisë së Gruevskit, të cilët ia hapën portën protestuesve të cilët sulmuan kryeministrin Zoran Zaev dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.