Shkurt.ch

Hamburg: Vritet kosovari dhe plagoset kosovarja

Nga të shtënat është plagosur rëndë një kosovar 44 vjeçar, i cili më vonë ka vdekur dhe plagë në krah ka marrë një kosovare 31 vjeçare

Natën e mbrëmshme në Hamburg të Gjermanisë është vrarë një kosovar dhe është plagosur një kosovare. Rreth orës 00:30 pas mesnate një grup personash të armatosur, disa prej të cilëve me maska kanë hyrë dhunshëm në një lokal ku ishin të pranishëm së paku pesë veta.

Ngjarja ka ndodhur në St.Pauli, zonën e Hamburgut të njohur si qendër e argëtimit, prostitucionit dhe krimit.

Këtu filloi një shkëmbim të shtënash me armë, që për pasojë pati plagosjen e rëndë të kosovarit 44 vjeçar, i cili më vonë vdiq. Po kështu plagë në njërin krah ka pësuar edhe një femër 31 vjeçare me prejardhje nga Kosova. Ajo nuk gjendet në rrezik për jetën. Komisioni për vrasje i Entit të kriminalistikës, ka filluar hetimet, bëhet e ditur në një komunikatë të policisë së Hamburgut.

Sulmuesit pastaj kanë ikur duke u strehuar në një diskotekë të zbrazët, ku më vonë janë rrethuar nga policia, e cila ka arrestuar katër persona të dyshimtë të moshave 24 deri në 37 vjeçare. Me këtë rast te ta janë konfiskuar  një armë zjarri dhe një thikë si armë me të cilat dyshohet se është bërë krimi.

Kufoma ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku pritet të bëhet obduksioni për të gjetur shkjakun e vdekjes.

Motivet e sulmit ende nuk dihet dhe janë objekt i hetimeve të mëtejshme.