Integrimi
Vetëvendosja: Me diasporën do të mundim hajninë në Kosovë
Dega e Vetëvendosjes në Zvicër përbëhet ekskluzivisht nga të rinj
Të gjithë janë të rinj, mosha e tyre sillet në mes 20 dhe 30 vjeç. Shumica të rritur e të shkolluar në Zvicër, e disa, edhe të lindur këtu. Dhe megjithatë, janë deri në atë shkallë të preokupuar me zhvillimet politike në Kosovë, sa që e ke të vështirë t`i dallosh nga moshatarët e tyre në Prishtinë. Janë këta të rinjtë e Qendrës për Zvicër të Lëvizjes „Vetëvendosje“.
Në Cyrih, më 2 dhjetor, Qendra e Vetëvendosjes, në një ambient studentësh mbajti debatin dhe prezantimin e titulluar „Kosova: Dje, Sot dhe nesër?“. Prezantimi ishte ndryshe nga ato të degëve të partive politike shqiptare në Zvicër. Fundja, „Vetëvendosje“ thotë se nuk është parti dhe sidomos nuk është sikur të tjerat… Dhe rrjedhimisht, debati nuk ishte pjesë e fushatës zgjedhore që po mbahet në Kosovë!
Lënda që kishin për të prezantuar para publikut jo të shumtë por të angazhuar, ishte mjaft e gjerë. Fillonte me historinë e shqiptarëve dhe përfundonte me Ahtisarin, kushtetutën e Kosovës, dhe, detyrimisht, me zgjedhjet që i kemi aq afër. Natyrisht, nuk kishte si të mungonin as temat e preferuara të Vetëvendosjes: decentralizimi dhe privatizimi.
Gjashtë ligjërues, kryesisht të ardhur nga Gjeneva, e kishin ndarë këtë lëndë sipas periudhave dhe sipas lëmenjve përkatës. Ata janë: Vehbi Kryeziu, inxhiner i informatikës, drejtues i Qendrës, Fortesa Mehmeti, studente e mjekësisë, Ermir Bajrami, master në ekonomi, Arta Kryeziu-Osmani, edukatore sociale, Adelina Mehmeti, magjistre në farmaci dhe Liridon Byqmeti, inxhiner i elektroteknikës dhe student i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Krahas njohjes solide të problematikës, ajo që bënte përshtypje te këta të rinj ishte niveli i lakmueshëm i ligjërimit të tyre në gjuhën shqipe, gjuhë që nuk e kanë mësuar në shkollë. Prandaj, me ta mund edhe të mos pajtohesh sa u përket koncepteve që përfaqësojnë por duhet t`ua respektosh përkushtimin.
„Me diasporën kemi fituar luftën dhe me diasporën do të mundim hajninë në Kosovë“
Kjo ishte motoja me të cilën aktivistët e rinj të vetëvendosjes dëshironin të prezantonin konceptin e tyre sa i përket aktualitetit në Kosovë. Dhe brenda këtij koncepti, hyn luftimi i të gjitha të këqijave që i njohim në Kosovën e këtyre viteve. „Deshqiptarizimi i Kosovës, shitja pa kriter dhe e dyshimtë të pasurive të saj dhe kupola e këtyre të këqijave, korrupcioni i klasës politike aktuale në Kosovë“, janë „në rend të ditës“ për tu luftuar nga Vetëvendosja.
Sipas tyre, „decentralizimi i Kosovës, çon pashmangshëm në federalizimin e Kosovës. Ndërsa duke bërë fjalë për privatizimin, ligjëruesit u shprehën se ky proces nuk është privatizim por shitje „me të lirë“ e pasurive që i ka krijuar qytetari i Kosovës. „Është e pashembullt që një qeveri të ofrojë për shitje me një çmim qesharak ndërmarrjen që i sjell vendit aq shumë fitime sikur është rastti me PTK-në“, u shpreh njëri nga ligjëruesit. Çmimi real i PTK-së, sipas tij, është së paku 1 miliardë e 200 milionë e jo 300 deri 500 milionë sa e kanë „vlerësuar“ qeveritarët e Prishtinës.
Pasardhës të familjeve të „krahëve“ të ndryshëm politikë
Siç shprehet Vehbi Kryeziu, drejtues i „Qendrës“, bërthamën e aktivistëve të kësaj qendre e përbëjnë gjithsej rreth dhjetë veta, por „janë me dhjetëra e qindra të tjerë që bashkohen e ndihmojnë në aktivitetet tona të ndryshme“. Ai shpjegon se Vetëvendosje nuk është e organizuar sikur degët e partive të Kosovës në perëndim, ndonëse Qendra në Zvicër, ta zëmë, i korrespondon një qendre të Vetëvendosjes në komunat e Kosovës.
Veçantia e organizimit të Vetëvendosjes qëndron në faktin se bërthama e saj përbëhet ekskluzivisht nga të rinj, të cilët në shumicën e rasteve kanë mbaruar studimet në vendin ku jetojnë dhe janë profesionistë të lëmenjve të ndryshëm. Ata, siç thotë Kryeziu, japin kontributin e tyre, por nuk e shohin veten në skenën politike në Kosovë.
Ndërsa i pyetur për prejardhjen e konceptit t të tyre politik radikal, nëse aty ka gisht orientimi politik i familjeve të tyre, Kryeziu thotë: „ne jemi rritur me atmosferën e tendosur politike që ka mbretëruar gjithë kohën në Kosovë, prandaj nuk ka pse të befasojë preokupimi ynë me zhvillimet politike atje. Nuk ka ndonjë ndarje që do të bazohej në orientimin politik të prindërve tanë. Kemi aktivistë nga familjet e ish të burgosurve, nga ato të krahut të luftës po aq sa kemi edhe nga lëvizja paqësore ose edhe nga familje pa përcaktim politik“.
Ajo që i bashkon të gjithë në Qendrën e Vetëvendosjes është vullneti për të bërë ndryshime në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare. Dhe, siç ndodh shpesh te të rinjtë me një dozë idealizmi, ky vullnet, nganjëherë di të jetë i skajshëm dhe mund të mos u pëlqejë nomenklaturave të etabluara politike në Kosovë…
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor