Kuriozitete

Policia gjen materialet e vjedhura të Lennonit

Hetuesit thanë se Yoko Ono kishte konfirmuar origjinalitetin e materialeve, pasi u mor në pyetje në bashkëpunim me Konsullatën gjermane në Nju Jork

Policia gjermane paraqiti ditarët dhe materialet e tjera që i përkisnin këngëtarit të ndjerë, John Lennon, të cilat u vodhën në vitin 2006 dhe përfunduan në Berlin. Policia e arrestoi një burrë në Berlin të hënën, i dyshuar për marrjen e 86 sendeve të vjedhura, të cilat përfshijnë ditarin e fundit të Lennonit, i cili përfundoi ditën kur u qëllua dhe u vra në Nju Jork më 8 dhjetor 1980.

Carsten Pfohl, udhëheqës i një sektori të krimit në Policinë e Berlinit, tha se hetuesit kishin gjetur syzet dhe një faturë në emrin e Lennonit të fshehura në bagazhin e automjetit të të akuzuarit. Policia dyshon se sendet ishin vjedhur nga shoferi i gruas së Lennonit, dhe më pas u dërguan në Turqi.

Policia e Berlinit u alarmua pasi materialet ishin të destinuara për një ankand, derisa vlera e tyre arrinte në 3.1 milion euro. Hetuesit thanë se Yoko Ono kishte konfirmuar origjinalitetin e materialeve, pasi u mor në pyetje në bashkëpunim me Konsullatën gjermane në Nju Jork.

Shtëpia e ankandit, për të cilën ishin destinuar 86 materialet, nuk e kishte idenë se ato ishin të vjedhura.