Shkurt.ch

Lombardia, kantoni i 27 i Zvicrës?!

Peticionin në internet e kanë nënshkruar 20 mijë italianë, në mesin e të cilëve edhe një numër kryetarësh të komunave

Një fushatë satirike e grumbullimit të nënshkrimeve përmes internetit ka shkaktuar turbulenca në mediet italiane. Peticioni për bashkimin e krahinës italiane të Lombardisë me Zvicrën është nënshkruar tashmë nga 20 mijë italianë.

Ky numër nënshkrimesh për peticionin që kërkon shndërrimin e Lombardisë në një kanton zviceran, është grumbulluar për vetëm gjashtë ditë. E gjithë kjo ka filluar nga një ironizim që kishte bërë më 17 mars ministri zviceran i mbrojtjes, Ueli Maurer në Tiçino. Ai i kishte thënë një gazetari nga Italia se Zvicra nuk do të kishte asnjë problem për t`ia bashkuar vetes edhe Lombardinë.

Departamenti i mbrojtjes e ka konfirmuar këtë thënie të Maurerit por ka nënvizuar se kjo është thënë me humor.

Ndërkohë, në faqen e internetit ku po nënshkruhet ky peticion (petizioneonline.it) janë treguar edhe përfitimet e Lombardisë në rast se do të bëhej kanton zviceran. “Më shumë pavarësi, më pak tatime, Lombardia bëhet pjesë e një shteti efikas dhe neutral, do të futej frangu si njësi monetare dhe do të kurseheh në pagesat e autostradave”.

Si objektiv është vënë grumbullimi i 500 mijë nënshkrimeve, për tu plotësuar kushtet për organizimin e një referendumi. Në Lombardi jetojnë 9.9 milionë banorë.

Ndërkohë, një numër kryetarësh të komunave kanë vënë nënshkrimin e tyre në peticion. Ndërsa kryetari i Lombardisë është shprehur kundër, kryetari i parlamentit të kësaj krahine italiane i është përgjigjur një gazete me shprehjen: “Mirë do të ishte…”.

Sidoqoftë, e gjithë fushata duhet kuptuar në radhë të parë si fushatë në rrafshin satirik dhe jo në atë real.