Shkurt.ch

Gjermanët kritikojnë fletarrestin zviceran ndaj hetusit tatimor

Sindikata e tatimorëve gjermanë ka cilësuar si “grotesk” këtë veprim të zviceranëve

Autoritetet zvicerane kanë lëshuar një fletarrest për një hetues tatimor gjerman dhe kjo ka ngjallur një valë kritikash të gjermanëve ndaj Zvicrës. Kështu, sindikata e tatimorëve gjermanë ka cilësuar si “grotesk” këtë veprim të zviceranëve.

Unë e shikoj këtë urdhërarrest si një përpjekje për frikësim që i drejtohet politikës gjermane” ka thënë një përfaqësues i kësaj sindikate për shtypin gjerman. Sipas tij, Zvicra frikësohet se marrëveshja tatimore e planifikuar do të dështojë prandaj dëshiron të ushtrojë presion, ka thënë ai, duke e cilësuar marrëveshjen si të pamjaftueshme.

Po u jetësua marrëveshja, në dhomat e fshehta të bankave zvicerane evaduesit tatimorë do të vazhdojnë të deponojnë të hollat në mënyrë anonime.

Urdhërarrestin e kanë kritikuar me të madhe autoritetet gjermane nga SPD ndërkohë që për të kanë treguar mirëkuptim zyrtarët e qeverisë federale.