Intervista

Jeto pa tym, fillo një jetë të re! 

“LINJA STOP DUHANIT!” është një këshillimore ku u jepen këshilla përmes telefonit të gjithë atyre që duan ta lënë duhanin. Këshillat jepen në disa gjuhë ndërsa në gjuhën shqipe ato i jep pedagogu social, Kemajl Shaqiri

Krahas ca institucioneve në Zvicër, të cilat e luftojnë duhanin, është edhe një këshillimore, e cila shërbimet e veta nga viti 2008 i ofron krejtësisht falas. Ky shërbim quhet LINJA STOP DUHANIT! e cila shërbimet i ofron vetëm përmes telefonit.

Për ta bërë më mirë të njohur këtë shërbim, për lexuesit tanë zhvilluam një bisedë me këshilltarin që përmes kësaj linje i ofron këshillat për të gjithë duhanpirësit shqipfolës që duan të ndahen nga duhani, por nuk dijnë si.

Në fillim të bisedës, këshilltari për duhanxhinjtë shqipfolës thotë: Unë jam Kemajl Shaqiri. Në Zvicër jetoj nga viti 1991. Vi nga rrethi Gjilanit. Në atdhe kam studiuar në fushën e pedagogjisë, por ashtu si shumë shqiptarëve, edhe mua më është dashur ta braktis atdheun dhe të vendosem këtu, në Zvicër. Pas ardhjes sime këtu, jam angazhuar nëpër aktivitete të ndryshme në lëmin social dhe të integrimit, fillimisht në qytetin e Baselit e më pas në kantonin e Zürichut ku edhe aktualisht jetoj dhe veproj si pedagog social për të rinjët dhe familjet, pranë organizatës AOZ. Punën time shumëvjeçare si pedagog social e rrumbullaksova me përfundimin e shkallës së masterit ne shkollën e lartë të Zürichut për shkencat e aplikuara (ZHAW) në lëmin e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, në vitin 2015.

Krahas punës me të rinjtë si pedagog social kam pasur rastin të bashkëpunoj edhe në disa projekte të karakterit shëndetësor, nga të cilat pastaj fillova të interesohem më tepër për mënyrat parandaluese të duhanpirjës tek të rinjtë, nga ku edhe zë fill puna ime si këshilltar për lënien e duhanit.

“LINJA STOP DUHANIT!” Çfarë është kjo?

“LINJA STOP DUHANIT!” ka startuar në vitin 2008 projekt testues. Kjo është një këshillimore ku u jepen këshilla përmes telefonit të gjithë atyre që duan ta lënë duhanin. “LINJA STOP DUHANIT!” drejtohet nga Liga Zvicerane e Kancerit, në bashkëpunim me Bashkësinë Punuese për Parandalimin e Duhanit, ndërsa bashkëfinancohet nga Fondi për Parandalimin e Duhanit.

Meqë në gjuhët e vendit, gjuhën gjermane, frënge dhe italiane Liga Zvicerane e Kancerit, prej kohësh kishte filluar të ofronte këshillime përmes telefonit, lindi ideja që të provohet dhe ofrohet diçka e tillë edhe për duhanxhinjtë që flasin në gjuhë tjera, mes të cilave edhe në gjuhën shqipe. Paraprakisht jemi aftësuar për punën që duhej ta bënim në kuadër të kësaj linje, pastaj kemi filluar t’i ofrojmë shërbimet tona.

Ju lutem, pak më konkretisht për shërbimet që ju i ofroni, si mund t’u arrijë njeriu juve?

“LINJA STOP DUHANIT!” ofron informata dhe biseda të hollësishme konsultative. Këshillimi orientohet në bazë të nevojave individuale të secilit duhanpirës që paraqitet. Për këshillime ne gjuhën shqipe, të gjithë ata që duan t’i thonë lamtumirë duhanit, duhet të thërrasin në numrin 0848 183 183, dhe ta lënë emrin dhe numrin e tyre të telefonit në sekretarinë telefonike. Pas thirrjes dhe lëniës së emrit dhe numrit të telefonit, personi do të thirret sa më shpejtë që eshtë e mundur nga një specialist i linjës “STOP DUHANIT!”. Thirrja ju kushton 8 rap për minut në telefoninë fikse, kurse përmes celularit, kuptohet, më shumë. Thirrja që do të bëhet për ju nga “LINJA STOP DUHANIT!”, si dhe thirrjet tjera të mundshme që pasojnë, janë falas.

Për të interesuarit ekziston edhe faqja në internet www.rauchstopplinie.ch. Aty gjenden të gjitha informatat edhe në gjuhën shqipe përfshirë edhe numri i telefonit dhe mënyra se si funksonon kjo linjë.

Në bisedë me duhanpirësin, me kujdes analizohen shprehitë e tymosjes dhe në marrëveshje me të do të caktohet një datë për ndërprerjen e tymosjes. Gjithashtu duhanpirësit do ta kenë mundësinë që përmes këtyre këshllimeve të mësojnë se si t’u shmangën situatave të ndieshme në të cilat ekziston rreziku i tymosjes së sërishme. Pra, me një fjalë, nga këshilltari në “LINJA STOP DUHANIT!” duhanxhiu do të informohet për metodat më efikase për ndërprerjen e duhanit, me theks të veçantë për vështirësitë që e shoqërojnë një duhanpirës para dhe pas lënies së duhanit dhe mënyrat se si është e mundur të shmangen, apo të zbuten këto vështirësi.

Gjatë punës sonë ka pasur kërkesa nga telefonues për këshillime përmes takimeve të drejtpërdrejta, por ne i kemi mbetur besnik konceptit të Këshillimores: Këshillime, vetëm përmes telefonit.

Sa shfrytëzohen shërbimet tuaja prej duhanpirësve, keni thirrje të shpeshta?

Unë personalisht kam pritur më shumë, por kjo nuk ka ndodhur edhe pse numri i telefonit është i publikuar në secilën pako të cigareve. Kjo nuk do të thotë se nuk është shfrytëzuar, por, mbështetur në fushatat dhe informimet që bëhen herë pas here, është shfrytëzuar pak. Unë dëshiroj që sa më shumë njerëz ta lënë duhanin dhe unë i gëzohem lënies së duhanit nga secili. Nëse shohim në statistikat e vitit 2016, prej pjesëtarëve të komunitetit shqiptar nga të gjitha trevat tona ka pasur 11 persona që janë paraqitur për të marrë këshilla dhe janë zhvilluar me ta gjithsej 25 biseda këshilluese. Qëkur ka filluar të funksionojë kjo linjë, është shënuar numër i ndryshëm thirrjesh, por nëse e shohim mesataren, na dalin 10 thirrje në vit.

Në përgjithësi vërehet një rritje e interesimit për tu informuar dhe kjo tregon se edhe tek popullata jonë ka filluar të rritet ndërgjegjësimi kur është fjala për pasojat dhe rreziqet që paraqet duhani si një ndër shkaktarët kryesor të kancerit dhe vdekjeve.

Me cilat institucione bashkëpunon “LINJA STOP DUHANIT!”?

Ne bashkëpunojmë me spitalet në St. Gallen, Chur, Inselspital në Bernë, klinikën në Barmelweid, klinikën rehabilituese Heiligenschwendi, spitalin në Muri etj. Ky bashkëpunim është arritur me kohë ngase edhe spitalet janë të interesuara që sa më shumë njerëz ta ndërpresin tymosjen e duhanit. Ka pasur  raste kur mjekët i kanë dërguar pacientët te ne, ndërkaq ne pas daljes së tyre prej spitalit e kemi marrë përsipër këshillimin e tyre. Ne presim që në të ardhmmen lista e bashkëpunimit të zgjerohet edhe jashtë institucioneve shëndetësore, ngase duhani nuk pyet e as nuk zgjedh. Ai për çdo ditë vret.

Cilat janë sukseset dhe mënyrat?

Në bazë të disa statistikave vetëm 3% të duhanpirësve ia dalin vetë, pa ndihmën e askujt ta lënë cigaren. Ndërkaq, është vërtetuar se shfrytëzimi i ndihmës profesionale përmes këshillimeve në “LINJËN STOPDUHANIT!”, apo edhe pjesëmarrja në kurset ekzistuese mes të cilave edhe në kurset e ligjëratat e projektit „Jeto pa tym!“  ka bërë që të rriten mundësitë deri në 30% për t’u larguar përfundimisht nga duhanpirja.

Vendimi për të hequr dorë nga cigarja është një vendim jo i lehtë dhe tepër sfidues. Në radhë të parë kërkohet një vullnet tepër i fortë e krahas kësaj lipsen edhe njohuri specifike mbi metodat efikase që ndihmojnë për ta ndërprerë tymosjen.

Procesi i lënies së duhanit është i ndieshëm dhe si i tillë kërkon që para se duhanpirësi ta caktojë datën e ndëprerjes dhe shfrytëzimin e kujdesit profesional nga “LINJA STOP DUHANIT!” ta bëjë një përgaditje të mirë psikike. Në kuadër të këtij procesi, këshilltari nga “LINJA STOP DUHANIT!” bën përzgjedhjen e këshillave të nevojshme, të cilat duhet t’i përshtaten individit, sepse duhet pasur parasyshë edhe faktin tjetër se te të gjithë njerëzit nuk ndikojnë njësoj të njëjtat këshilla e metoda. Kjo ngase secili njeri në kuptimin individual është ndryshe nga tjetri dhe i ka veçoritë e veta përfshirë edhe aspektin social, psikologjik, ngarkesat emocionale, pastaj shkallën e varshmërisë, resurset tjera, etj. etj.

Gjatë procesit të këshillimit, ne fillimisht përmes pyetjeve specifike kërkojmë informacione të rëndësishme nga personi që na kontakton si psh: Kur e ndezë cigaren e parë, sa kohë pas zgjimit nga gjumi, e tymos me apo pa kafe, sa cigare apo pako i konsumon brenda ditës, tymos në ambientet e brendshme apo jashtë, a tymos gjate natës, a tymos në makinë etj., pastaj, nëse ka provuar ndonjëherë për ta ndërprerë, nëse po, si ka funksionuar, çfarë strategjie ka përdorur, sa kohë ka që e ka lënë, ka pasur sukses apo nuk ka pasur sukses me të parën, nëse nuk ka funksionuar, cila ka qenë arsyeja, vështirësitë pas abstinencës etj. Në kuadër të kësaj ne përpiqemi të marrim gjithashtu informacione shtesë nga personi, përfshirë edhe gjendjen sociale, sepse shumica prej tyre kanë edhe probleme sociale të cilat interferojnë në mënyrë indirekte në procesin e këshillimit. Në shumicën e rasteve, personat fillojnë të gjejnë arsyetime të ndryshme në fazat kritike të përballjes gjatë këttij procesi, prandaj shpeshherë krijojnë veshtirësi edhe pse sipas mendimit tim shumica e vështirësive që paraqiten janë vetëm mite, si: „cigarja më bën të ndihem më i relaksuar“, „i iki më lehtë stresit“, “nuk mund ta filloj ditën pa cigare”, “kam dhimbje koke”, “më ndihmon të koncentrohem” etj. Janë këto mite të krijuara nga vetë njeriu sa për t’u arsyetuar, por që në fakt nuk është gjë tjetër pos tregues i varshmërisë nga nikotina, e cila nuk është e pamundur tëe luftohet dhe fitohet.

Porosia e juaj për duhanpirësit?

Një gjë është e qartë! Mjekësia ende nuk e ka, fatkeqësisht, një medikament, me ndihmën e të cilit menjëherë mund të lihet duhani, edhe pse ka pritje të tilla. Nganjëherë mendohet se ekziston ndonjë medikament, të cilin posa ta marrë njeriu do të funksionojë dhe të nesërmen duhanxhiu do të gdhihet joduhanxhi. Janë disa preparate ndihmëse, apo produkte zëvendësuese të nikotinës, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zbutjen e varshmërisë nga nikotina që merret përmes cigares dhe që janë më pak të dëmshme, por as ato nuk kanë ndikim të menjëhershëm.

Secili duhanxhi, sot, në shekullin 21, duhet t’i thotë vetvetes: larg duhanit, sepse ai vret në menyrë të ngadalshme dhe tinzare. Sa më herët që të kuptohen pasojat dhe dëmet që sjell duhanpirja, aq më lehtë do të jetë të merret vendimi për t’u larguar përfundimisht nga duhani. Një ditë pa duhan, një ditë pa tym është shërbimi më i mirë që njeriu mund t’ia bëjë shëndetit të vet. Nga dita e parë pa tym fillon përmirësimi i cilësisë së jetës. Të gjitha hulumtimet shkencore tregojnë se që nga dita e parë pa tym fillon të përmirësohet frymëmarrja, qarkullimi i gjakut, zvogëlohet rreziku i sulmit në zemër e në tru, përmirësohet furnizimi me oksigjen, zbutet kollitja dhe fillon përmirësimi i shëndetit në përgjithësi. Një ditë pa tym duhani do të thotë mbi 7000 substanca helmuese që merren përmes cigares dhe që nuk lënë organ në trupin e njeriut pa dëmtuar, më pak në organizëm.

Një ditë pa tym do të thotë edhe më shumë të holla në xhep, sepse duhani është i kushtueshëm.

Duhanxhiu është edhe shembull i keq për fëmijët e tij në radhë të parë dhe për të rinjtë në përgjithësi si dhe per rrethin ku jeton.

Prandaj shfrytëzojeni „LINJËN STOP DUHANIT!“ gjegjësisht numrin e telefonit 0848 183 183 dhe vizitoni kurset që organizohen për lënien e duhanit dhe që janë krejtësisht pa pagesë!

Pas lënies së duhanit, cigarja e parë e ndezur iu kthen sërish në pikën zero, prandaj mos u mashtroni asnjëherë, mos lejoni që të ndizet cigarja e parë në asnjë mënyrë!

Jetoni pa tym, fillojeni një jetë të re!