Lajme

Sulmohet Ambasada e Kosovës në Paris

Ambasada e Republikës së Kosovës mbrëmë është sulmuar nga huliganë, të cilët kanë dëmtuar pllakën zyrtare të ambasadës, duke shkruar simbole dhe parulla serbe.

Siç bën të ditur agjencia e lajmeve INA, nga burime diplomatike, pllaka e ambasadës është dëmtuar, ndërsa në dyert e jashtme të dëmtuara janë shkruar parulla dhe simbole serbe. Policia franceze menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për ndriçimin e këtij akti që dyshohet se është kryer nga ekstremistë serbë.

Ministria e Jashtme e Kosovës është informuar për rastin dhe pritet të japë hollësi lidhur me sulmin e tillë ndaj përfaqësisë diplomatike në kryeqendrën franceze. Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër që në vendet e BE-së sulmohet ambasadat kosovare, pas djegies së flamurit të Kosovës në ambasadën në Romë.