Shëndetësi
I zhytur në qarkun e mbyllur të lojërave të fatit
„Nëse keni familje dhe e doni atë, atëherë ju duhet të hiqni dorë nga kazinotë“ thotë Albani, i cili për pesë vite ka jetuar nën varësinë nga lojërat e fatit
Jeta e një familjeje fillon të marrë tatëpjetën, në momentin kur kryefamiljari vendos të bëjë ca para më shumë, në mënyrë të shpejtë, duke provuar fatin në kazino dhe në lojëra tjera të fatit.
Lojërat e fatit, gjithnjë e më shumë joshin qytetarë të moshave të ndryshme dhe me këtë shpesh herë vështirësojnë jetën socio – ekonomike të shumë familjeve.
Ky trend nuk ka kursyer moshat, gjininë e as kategoritë e qytetarëve. Këtu para së gjithash, kanë gjetur veten dhe shumë qytetarë shqiptarë ose zviceranë me prejardhje shqiptare, të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e këtij trendi.
Orvatjet e Albinfo.ch për të gjetur disa bashkëbisedues, të cilët do të ndanin me ne, përvojën e tyre, dolën shumë të vështira. Megjithatë një bashkëbisedues yni, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka folur për jetën e tij, me synimin që të ndihmojë të tjerët që të mos ndjekin rrugën që ai e ka lënë pas krahëve.
Bashkëbiseduesin tonë e kemi quajtur Alban Albani. Ai është një qytetar shqiptar, i cili për 5 vite me radhë ka qenë nën varësinë e lojërave të fatit. Ai jeton në Zvicër për më shumë se 20 vite, bashkë me familjen e tij. Ka ardhur këtu i vetëm, në një moshë të re. Ka kaluar nëpër disa periudha shumë të vështira, të cilat siç thotë ai, nuk ia dëshiron as armikut.
Kontaktet e para me lojërat e fatit
Kur kishte ardhur në Zvicër, Albani kishte filluar të punonte në një regjion të kantonit të Bernës, në ndërtimtari. “Në fillim ishte gjithçka në rregull, edhe pse e ndjeja mungesën e familjes, gruas dhe fëmijëve. Pas një kohe fillova të shoqërohesha me disa persona të cilët prej kohësh merreshin me lojërat e fatit, kazino dhe poker. Ata më ftuan një natë të shkoja me ta në kazino. Aty provova fatin tim duke i hedhur 10 franga në lojë. Ishte fati im më i keq, pasi atë natë fitova 100 franga. Më pas filloja të shkoja më shpesh, duke luajtur me shuma më të mëdha dhe duke u futur gjithnjë e më thellë”, thotë Albani.
Më e keqja ishte se në vitin kur isha zhytur më keq në këtë ves, arrita të sillja dhe familjen në Zvicër, gruan dhe dy fëmijët. Ata ishin të varur krejtësisht prej meje. Pas kësaj jam munduar disa herë që të largohesha, por kjo „sëmundje“ ishte shumë e fuqishme dhe gjithnjë më tërhiqte kah vetja. Shpesh ka ndodhur që të ndihesha shumë keq dhe të hidhërohesha me veten. Ka pasur raste, që kur kam dalë nga kazinoja, të kem lënë brenda rrogën e një muaji dhe kjo vetëm brenda disa orëve. Kjo më bënte të ndihesha si një dështak. Kthehesha në shtëpi vonë, shikoja fëmijët dhe filloja të qaja, pasi ju premtoja të shkonim diku gjatë vikendit dhe nuk e bëja dot, pas netëve në kazino. Dita e nesërme ishte një ditë ferri për mua dhe familjen time. Në vazhdimësi grindesha me bashkëshorten, e cila kishte të drejtë në atë që thoshe. Por ato ishin vitet e kaluara, në të cilat nuk do të kthehesha, edhe sikur të më jepnin gjithë botën.
Kjo situatë, e cila zgjati disa vite, për pak sa nuk ma shkatërroi jetën. Dëshira për të vazhduar jetën shpesh herë është luhatur në mes një pesimizmi të skajshëm dhe një optimizmi shumë të zbehtë”, thotë Albani për albinfo.ch.
„Nëse keni familje dhe e doni atë, atëherë ju duhet të hiqni dorë nga kazinotë“ shton ai, i pyetur se çfarë do t`u sugjeronte personave që ndodhen në një situatë të këtillë.
„Në vitet kur unë luaja në kazino, e kam lënduar shumë familjen time. Por ka qenë mërzia që shikoja në fytyrën e gruas, arsyeja kryesore që më ndihmoi të largohem nga kjo rrugë. Disa muaj me radhë, kam vizituar një psikologe dhe besoj që ndihma që ajo më ka ofruar, ka qenë shumë e rëndësishme.“ tregon Albani, sekretin e largimit nga rruga e lojërave të fatit.
2016: Kazinotë zvicerane, fituan 689 milion franga
21 kazinotë e Zvicrës gjatë vitit 2016 kanë fituar rreth 689 milionë franga zvicerane, 1.2 për qind më shumë se në vitin 2015, informon Shoqata e Kazinove në Zvicër.
Shtëpitë e bixhozit në Zvicër, në mënyrë të rregullt paguajnë detyrimet vjetore për kantonet dhe AHV. Por ato kanë një problem me konkurrencën brenda dhe jashtë vendit.
„Industria zvicerane e bixhozit vazhdon të përballet me konkurrencën e lojërave të fatit që veprojnë në vendet fqinje në afërsi të kufirit dhe me klubet e kumarit të paligjshëm“, njoftojnë nga shoqata.
Çdo ditë zhytesha më thellë…
“Shokët më ftuan një natë të shkoja me ta në kazino. Aty provova fatin tim duke i hedhur 10 franga në lojë. Ishte fati im më i keq, pasi atë natë fitova 100 franga. Më pas filloja të shkoja më shpesh, duke luajtur me shuma më të mëdha dhe duke u futur gjithnjë e më thellë”, thotë Albani.
Ku mund të këshillohen të varurit nga lojërat e fatit
“Berner Gesundheit” është qendra e kontaktit për çështjet lidhur me temën e lojërave te fatit, ajo ofron ndihma konkrete në rastet kur dikush dëshiron të heqë dorë nga kazinotë. Gjatë këshillimeve tregohet se si mund t`i qasemi nevojë për të luajtur )në lojëra fati).
Para se situata të bëhet e pa rrugëdalje, mund të ndihmojë forcimi i kompetencave në qasje me lojërat e fatit. Për këtë duhet ditur se lojërat e fatit mund të rezultojnë me vështirësi financiare dhe me varësi. Informohuni lidhur me temën, kontaktoni me “Berner Gesundheit”. Oferta është falas dhe ne mund të sigurojmë pa problem përkthimin në gjuhën tuaj amtare, në mënyrë që të mund të kuptohemi mirë.
Në mënyrë që të mund të përballohen edhe vështirësitë financiare, ne kemi bashkëpunim të ngushtë me këshillimoren për borxhe.
E-Diaspora
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë Kjo ngjarje e veçantë kulturore u kushtohej figurave madhore Shën Jeronimit dhe Shën Nënë Terezës, dy...
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë Stacioni i trenit Cornavin në Gjenevë është i mbyllur deri të dielën në orën 15:00 për...
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?