Gjuha

Rëndësia e mësimit të gjuhës amtare

Mësimi i gjuhës amtare te fëmijët nga mosha 0-10 vjeç prioritet për familjet e huaja

Ligjëratat me temën “Rëndësia e mësimit të gjuhës amtare” u organizuan në kuadër të projektit të “Komunikimit Interkulturor”, të cilin e udhëheq prof. Dieter Isler . Organizimi u ndihmua dhe u mbështet edhe nga autoritet e komunës dhe të shkollës “Schönthal”në Füllinsdorf. Ligjëruesit përveç tjerash sollën përvojat shkencore,por edhe ato personale të argumentuara se sa i rëndësishëm është mësimi i gjuhës amtare përmes komunikimit të drejtpërdrejtë të përditshëm të prindërve edhe në ambientin familjar.

I pranishëm në këtë ambient ligjërues ishte edhe z.B.Schader, njohës dhe studiues i gjuhës shqipe, znj.C. Neugebauer, znj.Glor, drejtuese e shkollës në Schönthal,znj. Tomen,përfaqësuese e Komunës Füllinsdorf,mësimdhënës të shkollës së këtushme etj.

Me këtë rast prindërit patën rastin të ndjekin një ligjeratë nga dr.Claudio Nodari ( Instituti Interkulturor i Komunikimit-Zürich),me temën: “Si mund ta përkrah fëmijën tim në zhvillimin gjuhësor në familje”. Ky referat ishte me interes për gjithë prindërit jo vetëm nga Füllinsdorfi, por nga tërë Basel-Landi e më gjerë. Kjo ligjëratë, parim themelor kishte konceptin : “Një person një gjuhë”,gjë që indirekt la të kuptohet se aq sa është e mundur duhet bërë shmangjen e përzirjes së gjuhëve edhe në ambientin familjar , fenomen ky shumë prezent te të gjitha familjet e huaja.Prof. Nodari gjatë ligjërimit të tij ,theksoi se fëmijët kanë kapacitet të gjërë për mësimin e gjuhës,dhe këtë e bëjnë më së miri në kontakte direkte,me njerëzit e familjes.

Një temë tjetër,“Për një prezantim të grupit të lojës“ (Spielgruppe) u prezantua nga mësuesja Doris Bürgin. Kjo ligjëruese solli përvojën e saj shumëvjeçare të komunikimit me fëmijët parashkollor të huaj ,të cilët fëmijë shumë pak flasin gjermanisht. Por,me kalimin e kohës ata mësojnë shumë shpejt,fjalë të ndryshme .Ligjëruesja me këtë rast ilustroi disa shembuj. Dhe,“Një prezantim i bibliotekës“-Füllinsdorf,u bë nga znj. Ursula Krebs,e cila informoi prindërit për mundësitë dhe literaturën që afron kjo bibliotekë.

Gjatë këtyre ligjëratave të pranishmit dëgjuan se mësimi i gjuhës është një proces mjaft kompleks. Secili fëmijë fillimisht e mëson gjuhën e familjes ku ai rritet,gjuhën e rrethit ku ai jeton,por jo në nivelin e mjaftueshëm,për të qenë ai i suksesshëm edhe në shkollë. Ata fëmijë, të cilët në jetën e përditshme kultivojnë kontakte intensive me gjuhën e rrethit,sipas shumë hulumtimeve shkencore të deri tanishme,kanë më pak probleme. Anëtarët e familjes;motrat vëllezërit,personat kujdestarë,si p.sh.,në çerdhe apo kopsht kanë ndikim direkt dhe mjat të madh në ngritjen e kompetencës gjuhësore të fëmijës. Kjo arrihet qartë në ato raste kur personat e familjes kanë komunikim aktiv me fëmijët në gjuhën e tyre. Pra,fëmijët mësojnë kur ata fillojnë vetë të flasin,të tregojnë,apo edhe kur kërkojnë gjëra të përditshme.

Por, në qoftë se prindërit dëshirojnë të kenë sukses në komunikim me fëmijët e tyre ,atëherë ata duhet që të jenë më të vëmendshëm edhe në thellimin gjuhësor ,përmes metodave më profesionale,që fëmijët i marrin në shkollë dhe biblioteka gjatë procesit arsimor. Në shkollë ata fillojnë të tregojnë tregime nga libra të ilustruar. Ata lexojnë me zë,ata e komentojnë një ngjarje,tregojnë një histori,shikojnë disa herë një film,dëgjojnë edhe tregime të ndryshme nga viteokaseta etj.,etj. Fëmijët që njohin mirë gjuhën amtare,më lehtë mësojnë edhe gjuhë të tjera.

Pjesa e fundit e këtij ligjërimi u bë edhe përmes , “Komunikimit të drejtpërdrejtë me prindërit”, ku u formuan dy grupe të prindërve të huaj; a)në grupin e prindërve të gjuhës shqipe, dhe b)në grupin e prindërve të gjuhës turke.Me këtë rast ligjëruesit dhe mësimdhënësit e tjerë poashtu u shoqëruan në këto dy gupe prindërish. Në grupin e prindërve të gjuhës shqipe ishte edhe z. Basil Schader,i cili i falënderoi prindërit shqiptarë për interesimin e treguar dhe për pjesëmarrjen në këtë takim.

Me këtë rast prindërit shqiptarë shfaqën mendimet dhe përvojat e tyre të komunikimit me fëmijët në familje,por njëkohësisht paraqitën edhe mjaft shqetësime, që i përcjellin fëmijët e tyre në komunikimin e përditshëm,në raportin e gjuhës amtare-shqipja, dhe gjuhës së vendit-gjermanishtja. U ritheksua me këtë rast, edhe nga shumë prindër, se rëndësia e mësimit plotësues për fëmijët tanë është shumë e madhe. Ndërkaq, udhëheqësi i grupit z.S.Sadiku tha se në funksion të sensibilizimit të gjuhës amtare dhe të mësimit plotësues duhet bërë edhe shumë punë në të ardhmen,pothuaj nga gjithë faktorët,por faktori prindër mbetët gjithmonë në qendër të vëmendjes. Në fund pati konsultime të lira dhe një apero.