Shkurt.ch

Radioamatori që madhëron Hitlerin

Zvicerani Marko, 40 vjeç, “lutjet” e tij radiofonike, në vend se me “Ati ynë...” i fillon me “Hitleri ynë...”!

Një radioamator nga kantoni Thurgau, prej rreth dhjetë vitesh i shfrytëzon valët e radios për të bërë propagandë antisemitiste. Në fjalimet e tij të përshkuara nga urrejtja kundër hebrenjve, Marko, 40 vjeç nuk heziton as nga madhërimi i Hitlerit. “Lutjet” e tij radiofonike ai, në vend se me “Ati ynë…” i fillon me “Hitleri ynë…”!

Kjo propagandë ka filluar t`u shkojë në nerva radioamatorëve tjerë, të cilët janë të detyruar te dëgjojnë tirada urrejtjeje nga kolegu i tyre. Njëri nga ta, Brunno Hess kishte vendosur të identifikonte propaganduesin nazist. Por kjo gjë nuk ishte e lehtë, sepse Marko emetonte vetëm fjalime të shkurta dhe pastaj ndërronte vendin. që të mos mund ta lokalizonin. Më në fund ai zbulohet dhe policia ia merr aparaturën radiofonike. por kjo nuk kishte bërë punë. Marko kishte blerë tjetrën dhe zëri i tij vazhdon të dëgjohet deri në 500 km largësi dhe të shqetësojë jo vetëm hebrenjtë.

Federata e shoqatave izraelite të Zvicrës (SIG) më në fund, në shtator të vitit të kaluar ka ushtruar kallëzim penal kundër Markos. Në prokurorinë në Bischofszell të Thurgaut vërtetojnë se hetimet janë duke vazhduar.

Por radioamatori nazist nuk do t`ia dijë. Tiradat e tij të urrejtjes janë dëgjuar sërish së fundi më 17 mars. Dhe, kur gazetarët e pyesin përse, ai thotë: “Unë jam patriot. Autoritetet duan të më shkatërrojnë!”.