Shqipëria

Meta: Hetim transparent për rastin “Kumanova”

"Shpresoj që edhe autoritetet e Maqedonisë e veçanërisht ato gjyqësore do të jenë të interesuar për të demonstruar standarde Evropiane, përderisa anëtarësimi në BE dhe NATO është një qëllim i përcaktuar i Maqedonisë”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në takimin që ka pasur me homologun e tij Gjorge Ivanov ka inkurajuar autoritetet e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent për rastin e Kumanova.

Meta në konferencën e përbashkët me homologun e tij Ivanov tha se hetimi duhet të kalojë në proces me standarde Evropiane.

“Shpresoj, dëshiroj dhe inkurajoj që fazat e tjera të këtij procesi të gjykimit të jenë sa më transparente dhe sipas gjitha standardeve Evropiane.

Shpresoj që edhe autoritetet e Maqedonisë e veçanërisht ato gjyqësore do të jenë të interesuar për të demonstruar standarde Evropiane, përderisa anëtarësimi në BE dhe NATO është një qëllim i përcaktuar i Maqedonisë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër Presidenti Gjorge Ivanov theksoi se është duke ndjekur nga afër debatin dhe procedurën parlamentare për propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ivanov tha se për ta dekretuar ligjin, ai nuk duhet të bie ndesh me Kushtetutën e vendit.