Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
Përse të rinjtë tanë “tremben” nga studimi i mjekësisë?
Me dr. Mentor Bilallin albinfo.ch ka biseduar lidhur me studimet e mjekësisë në Zvicër, hezitimin e të rinjve shqiptarë për të studiuar këtu, për ndryshimin në mes të Ballkanit dhe Zvicrës sa u përket kushteve të studimeve etj.
Fluksi i mjekëve që vijnë në Zvicër nga jashtë po vazhdon derisa nga universitetet e vendit del gjithnjë e më pak personel mjekësor, së paku më pak se sa ka nevojë. Gati një e treta e të gjithë mjekëve në Zvicër kanë një diplomë të huaj, sipas statistikave të Shoqatës Mjekësore të FMH-së.
Këto të dhëna, me mundësinë që edhe mjekët shqiptarë me diploma të huaja të inkuadrohen në profesionen e tyre në Zvicër, e gëzojnë mantelbardhin kosovar të shkolluar në Zvicër, i cili aktualisht po ndjek specializimin e dytë në gastroenterologji dhe hepatologji në Klinikën Universitare të Cyrihut. Por në anën tjetër atë e shqetëson fakti pse të rinjtë tanë që jetojnë këtu, po hezitojnë të studiojnë mjekësinë në Zvicër.
Fakti se je i huaj, nuk të pengon të studiosh mjekësinë
Për Mentorin janë disa faktorë që po i “trembin” të rinjtë të mos studiojnë mjekësinë me gjithë privelegjet që ofron shteti për të rritur numrin e vendeve për studime në mjekësi. “Nuk janë vetëm shqiptarët por edhe zviceranët që hezitojnë vetëm nga fakti se studimet në mjekësi zgjasin gjashtë vite, duke shtuar pastaj edhe 4-6 vite tjera për të përfunduar një specializim. Këtu hyn edhe perceptimi i njohur që mjekësia është një prej drejtimeve më të vështira për të studiuar”, thotë doktori nga Kosova, Mentor Bilali. “Pastaj disa nga të rinjtë po e mendojnë rrugën më të shkurtër deri te profesioni e që studimet në mjekësi nuk ta ofrojnë këtë komoditet. Do të thotë si mjek duhet të sakrifikoni nga vetja”, thotë Mentori duke treguar për arsyet që e kanë shtyrë që të bëhet mjek në Zvicër.
“Që në fëmijëri e kam çmuar profesionin e mjekut dhe deri më tani i kam mbetur besnik vizionit tim. Është kënaqësi dhe ndjenjë e papërshkrueshme që të jesh pranë dhe në mbështetje të njeriut kur ai më së shumti ka nevojë për ty”.
Mentori Bilalli hyn ndër mjekët e gjeneratës së parë të komunitetit shqiptar që gjithë shkollimin e ka bërë në Zvicër. Vendi ofron shumë mundësi për t’u bërë një mjek i suksesshëm dhe asnjëherë kjo nuk varet nga origjina apo gjendja ekonomike e familjes. “Fakti që je i huaj e që ndoshta si i ri nuk i ke mjetet e mjaftueshme për të studiuar nuk të pengon të bëhesh mjek”, tregon për privilegjet që ofron Zvicra për shkollim duke mos përjashtuar kriteret rigoroze të provimit pranues. “Secili mund të studiojë mjekësinë në Zvicër. Mjafton të ketë vullnet dhe pasion për këtë profesion”.
Gjithkund ka mjekë të mirë por kushtet nuk janë gjithkund të njëjta
Doktori nuk ka asgjë kundër mjekëve që vijnë nga jashtë dhe asnjëherë nuk ka shprehur ndonjë rezervë ndaj tyre. Perkundrazi në shume raste ishte kontaktuar për t`i udhëzuar ata në mënyrën më të mirë të mundshme që të inkuadrohen në profesionin e tyre këtu në Zvicër. “Një mjek që ka kryer studimet me dije në Prishtinë, Tiranë apo Shkup mund të jetë pa dyshim mjek i mirë edhe në Cyrih, por natyrisht dallojnë standardet e Zvicrës e të Gjermanisë nga ato të vendeve në Ballkan apo në Evropën Lindore. Nuk është i njëjtë specializimi në Klinikën Universitare të Cyrihut sikur specializimi në ndonjë vend tjetër jashtë shtetit helvetik”, thekson Mentori dhe tregon se pse ia ka mësyrë specializimit në gastroenterologji dhe hepatologji.
Klinika universitare e Cyrihut njihet si njëra nga më të mirat në gastroentrologji dhe hepatologji. “Është i vogël numri i gastroenterologëve dhe hepatologëve në Zvicër dhe vendet e specializimive jane të kufizuara, por mua më ka sfiduar ky drejtim si mjekësi interno invazive që është shumë i gjerë dhe me kompleksitete të ndryshme”, thotë Bilali
Ende pak studentë shqiptarë të mjekësisë
Njëri prej shkaktarëve që mund të ketë ndikuar që të mos ketë më shumë mjekë shqiptarë të shkolluar në Zvicër është edhe ai se gjenerata e parë e emigrantëve shqiptarë ka hasur në sfida tjera më primare se sa për të vlerësuar shkollimin e fëmijëve të tyre. Çdo ditë e më shumë fatmirësisht po shtohet numri i studentëve shqiptarë në Zvicër, por në krahasim me numrin e shqiptarëve këtu, ai është ende i vogël. Duke pasur parasysh se cila pjesë e popullit shqiptar e ka ndjekur fatin në mërgim dhe cilat kanë qenë qëllimet e gjeneratës së parë, arsyetohet kjo dukuri. Synimet e gjeneratës së parë ishin për të krijuar kushte themelore për një të ardhme më të mirë në vendlindje. Kjo do të thotë që mundësitë ishin të vogla për t’iu kushtuar shumë shkollimit të tyre këtu në diasporë. Gjenerata e dytë dhe e tretë kanë filluar të përparojnë në këtë drejtim”, thekson doktori. Ai thotë se ndonësae ka të rinj që studiojnë edhe mjekësinë, domninojnë ata që studiojnë ekonominë ose drejtësinë.
Në fund, doktori u drejton një thirrje të rinjve lidhur me ardhmërinë e tyre profesionale. “Të gjithë ata që admirojnë mjekësinë, mos të dekurajohen për asnjë arsye, por me vullnet dhe bindje të plotë t`i synojnë studimet në mjekësi. Megjithatë, është ndjenjë e mirë kur shpëtoni jetën e dikujt”, thotë dr. Mentori.
Në specializim të dytë
Mentor Bilali është me prejardhje nga Breznica, komuna e Bujanocit, por, prej vitesh familja e tij është shpërngulur në Gjilan. Në moshën 4-vjeçare kishte migruar në Zvicër. Shkollën fillore e ka të kryer në Reiden të Kantonit të Lucernit. Gjimnazin e ka përfunduar në Sursee, në po këtë kanton. Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar pas 6 vjetësh studime në vitin 2008 në Universitetin e Baselit. Specializimin e parë që kishte zjatur 3 vjet, e ka bërë në kirurgji (kirurgjia e përgjithshme dhe abdominale), në Spitalin Kantonal në Olten dhe në urologji në Spitalin Universitar të Bernës (Inselspital). Pastaj 3 vite e gjysmë i kanë kaluar për specializim të mjekësisë interne në Klinikën universitare në Aarau (AG). Aktualisht ai po e ndjek specializimin e dytë në gastroenterologji dhe hepatologji në Klinikën Universitare të Cyrihut, që do ta përfundojë në vjeshtën e vitit të ardhshëm 2018.
Të tjera nga Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës