Shkurt.ch

Ish pengjet kthehen në Zvicër

Ata sigurojnë opinionin se me forcat e veta ia kanë dalë të iknin nga vendi ku mbaheshin peng

Dy zviceranët, që për më shumë se 8 muaj janë mbajtur peng nga talibanët në Pakistan, janë kthyer dje në Zvicër. Në orën 13.30 ata kanë aterruar në Aeroportin e Cyrihut, ndërsa për t`i pritur ata, është lejuar një numër i vogël i gazetarëve, të cilëve nuk u është lejuar të shtrojnë pyetje.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Departamenti i Punëve të Jashtme i Zvicrës, ata janë shprehur shumë të lumtur që kanë mundur të kthehen në vendin e tyre. Veç kësaj në komunikatë, dy ish pengjet sigurojnë opinionin se ata, me forcat e veta ia kanë dalë të iknin nga vendi ku mbaheshin peng. Një përgjigje kjo ndaj spekulimeve se për lirimin e tyre mund të jenë paguar të holla.

Pas arritjes, ata janë mirëpritur nga familjarët dhe miqtë, ndërsa Departamenti i jashtëm ka lutur opinionin që të respektojë jetën private të tyre.