Integrimi
Rishikimi i Ligjit për të huajt: Një oportunitet për të ndikuar në të ardhmen*
Sikurse dihet e përflitet, Ligji për të huajt disa herë është rishikuar dhe është plotësuar në Zvicër. Ligji në fjalë tashmë po i nënshtrohet edhe një revizioni tjetër të pjesshëm, pas propozimit të projektit për ndryshime që erdhi nga Departamenti Federal i Drejtësisë dhe i Policisë.
Sido që të jetë, Ligji aktual për të huajt njihet me shumë boshllëqe dhe pasaktësi. Këto janë vënë në pah si nga Komisioni Federal për Migracion, po ashtu edhe nga raporti i OSBE-së.
Plotësimi i Ligjit është një e mirë më vete, por kur i analizon nga afër propozimet, menjëherë zhgënjehesh, pasi nuk është ajo që pritet.
Shikuar në tërësi, ky projektligj të bën të mendosh se politika e tre rrathëve, aq në modë në vitet ‘90-ta, ende nuk ka pushuar së ekzistuari, ngase duke e përshkruar ligjin tërthorazi, vihet re një dallim trajtimi në varësi të vendit të origjinës së të huajve dhe, për pasojë, një përforcim të pabarazisë mes njerëzve të origjinave të ndryshme.
P.sh, shtetasit evropianë, të cilët i nënshtrohen marrëveshjes së qarkullimit të lirë të njerëzve, nuk janë të prekur nga ky projektligj. Ndryshimet prekin sidomos emigrantët e vendeve në zhvillim, në listën e të cilëve edhe ne bëjmë pjesë. Ata pretendojnë të bëjnë ndryshime, sidomos në spektrin e bashkimit familjar.
Kjo mund të sjellë vetëm thellimin e hendekut të barazisë dhe shtimin e qëndrimeve diskriminuese.
Po ashtu vihet re se flitet për konventë integrimi apo proces integrimi, pa e përcaktuar qartë nocionin e integrimit, duke i lënë shteg të hapur interpretimeve abuzive.
Mund të shihet dukshëm dhe me sy të lirë se ky projektligj ka si pikësynim të përcaktojë detyrimet dhe kërkesat ndaj të huajve dhe pason menjëherë me sanksionet, me një fjalë, propozon të praktikohet teoria e shkopit dhe e karotës.
Nuk është vështirë të konstatohet se ky ligj, përveç një kornize me ndryshime, nuk sjell ndonjë risi në praktikën dhe politikën e integrimit të të huajve. Ai duket tepër unilateral, duke kërkuar nga të huajt të përshtaten e të integrohen dhe duke e lënë thuajse krejtësisht anash shoqërinë pritëse dhe rolin e saj në integrimin e të huajve.
Kjo i ngjan më tepër praktikës së asimilimit sesa të integrimit, nëse këtë të fundit e shohim si një proces dinamik, ku të gjithë kanë shanset e barabarta dhe ku të huajt dhe zviceranët ecin nëpër të njëjtat shtigje, në pranim të njëri-tjetrit.
Ky vizion i integrimit bie ndesh me konceptin e asimilimit, në të cilin i huaji është i detyruar të heqë dorë nga gjithçka apo shumëçka ka të bëjë me identitetin fillestar, me kulturën dhe edukatën e origjinës, dhe të bëhet njësh me karakteristikat e shoqërisë pritëse.
Njohja e gjuhës zë vendin kryesor
Në qendër të këtij ligji është „inkurajimi dhe kërkesa“.
Pikët e forta të këtij revizioni mbështeten në fushat specifike, ku njohja e gjuhës zë vendin kryesor përkitazi me përmirësimin e kushteve të pritjes së të ardhurve rishtas.
Integrimi i të huajve është konceptuar si përmbushje e kushteve për të kaluar nga një shkallë në tjetrën, ku i huaji duhet të plotësojë kushtet për të fituar një status më të lartë në shoqërinë pritëse. Kështu i huaji duhet ta njohë gjuhën ose duhet ta mësojë atë në një kohë rekord për të pasur mundësinë që të marrë lejen e qëndrimit, pastaj duhet të plotësojë po ashtu një seri kushtesh për të pasur privilegjin të marrë vizën C dhe të tjera kushte ende më rigoroze për të marrë shtetësinë zvicerane.
Ndërkohë që nga praktika e përditshme konstatojmë se nëse i huaji do të ketë disponimin për t’u integruar në shoqërinë pritëse, duhet të ketë një gjendje stabile, me dokumente të rregullta, me qëllim që të mos ketë shqetësimet e të nesërmes, por të mund të ndërtojë projektet e veta duke menduar dhe duke pasur sigurinë e qëndrimit dhe ndërtimit të një perspektive afatgjate.
Ne shqiptarët më së miri e dimë këtë, pasi mungesa e sigurisë së perspektivës dhe e një ideje të qartë se ku do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë, na ka penguar për dekada që të integrohemi.
Gjyshërit dhe baballarët tanë dhe gjuhën nuk e kanë mësuar dhe nuk kanë bërë as përpjekje për të evoluuar profesionalisht, duke menduar se janë këtu përkohësisht. Dhe kjo përkohësi zgjati 20 e 30 vjet.
Sanksionimi i integrimit të keq
Një pikë tjetër e dobët e këtij projektligji është sanksionimi i integrimit të keq. Në të shprehen qartë: kërkesat e njohjes më të lartë të gjuhës, kufizimi i bashkimit familjar, rizgjatja e lejes së qëndrimit që i nënshtrohet kushteve më të rrepta, detyrimit të nënshkrimit të konventës së integrimit për një kategori të caktuar të huajsh. Ky projektligj anashkalon mbrojtjen kundër diskriminimit, detyrimet e punëdhënësit për të marrë pjesë konkretisht në integrimin e punonjëseve, siç mund të jetë pagesa e kursit apo dhënia e lejes për të kryer kurse gjuhe.
Katër pikët kryesore që vlejnë të përmenden janë: konventa e integrimit, vlerësimi i integrimit, bashkimi familjar dhe pranimi i përkohshëm.
Në nenin 58a të ligjit mbi të huajt, njëri nga nenet më të rëndësishme të këtij projektrevizioni propozon që të huajt të nënshkruajnë një konventë integrimi.
Kjo u jep mundësinë autoriteteve të vlerësojnë nëse një i huaj është apo jo i integruar mjaftueshëm për të marrë lejen e qëndrimit apo nënshtetësinë. I huaji duhet të tregojë se i përmbush kushtet e njohjes së gjuhës në një kohë të caktuar, si dhe është adaptuar me mënyrën e jetesës në Zvicër. Ndërkohë mund të konstatojmë në praktikën e përditshme se me gjithë dëshirën e mirë të shumë të huajve (sidomos gra me nivel shkollor dhe profesional të ulët), ata hasin në vështirësi të pakapërcyeshme të mësimit dhe nxënies së njohurive gjuhësore, pasi nuk janë të pajisur me aftësitë e duhura mësimore.
Kjo sjell pabarazi në trajtimin e të huajve. Për më tepër, kur dihet se vetëm personat e „botës së tretë“ i nënshtrohen nënshkrimit të konventës, ndërsa qytetarët e BE-së apo të SHBA-së e Kanadasë nuk u nënshtrohen këtyre kritereve.
Kjo konventë kthehet, pra, në një mjet represioni dhe bie ndesh me kuptimin e fjalës konventë që nënkupton se nënshkrimi i saj bëhet në baza vullnetare dhe reciproke, në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët.
Kështu thuhet edhe në tekstin shpjegues të këtij projektrevizioni, por pak më tutje shtohet se „nuk veprohet gjithmonë kështu“. Kuptohet se kjo konventë është e detyrueshme dhe se mosrespektimi i termave të saj sjell pasoja!
„Mënyra të jetesës në Zvicër“
Një tjetër element i këtij projektrevizioni është përdorimi i termit „mënyrës së jetesës në Zvicër“. Gjithkush që i ka bërë disa vjet këtu, mund të vërejë se nuk ka një mënyrë të vetme jetese zvicerane, por se ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, po aq sa edhe vetë ne shqiptarët. Për cilën mënyrë jetese bëhet fjalë?
Në nenin 58 të projektrevizionit flitet për 4 kritere të evoluimit të integrimit:
Njohja e gjuhës, bashkimi familjar, kriteri i pjesëmarrjes në jetën ekonomike, kriteri i pranimit të përkohshëm. Pak më parë i cekëm problematikat lidhur me mësimin e gjuhës. Ky ligj ka përparësinë se i akordon më shumë fonde hapjes së kurseve të gjuhës, por krijon kushte shpesh të pakapërcyeshme në kohën e vënies në dispozicion për mësimin e njërës nga gjuhët kombëtare të Zvicrës. Ky aplikim lë jashtë të gjithë ata persona që nuk i kanë mundësitë intelektuale, materiale e psikologjike për të mësuar në kohë të caktuar një gjuhë të huaj dhe, për pasojë, çon deri te përjashtimi i këtyre individëve nga shoqëria pritëse, pa i ofruar mundësinë e kapërcimit të vështirësive të nxënies.
Situatë ideale për të huajt me gjendje profesionale të sigurt
Një tjetër thikë me dy presa është kriteri i pjesëmarrjes në jetën ekonomike. (neni 58, al.1, shkronja d). Në raportin shpjegues thuhet se „situata ideale është ajo e personave që kanë një gjendje profesionale të sigurt, me perspektivë afatgjatë“.
Për ata që e njohin tregun e punës në Zvicër dhe pasojat e krizës, por edhe qëndrimin e punëdhënësve ndaj të huajve (shpesh diskriminues, qoftë në marrjen në punë, por edhe në përcaktimin e rrogës), kjo fjali tingëllon jorealiste dhe e paarritshme. Edhe bashkimi familjar vuan nga ky rishikim, pasi ai parashikon shtimin e kërkesave gjuhësore, financiare dhe parashtron si kusht të keni gjendjen stabile për të mundësuar bashkimin e familjes.
Si përfundim, ajo që duhej të pritej prej këtij ligji është përmirësimi i masave mbrojtëse dhe vënia në dispozicion e masave nxitëse në fushën e integrimit, mbrojtja kundër diskriminimit, heqja e barrierave gjuhësore si kusht për bashkimin familjar, mosimponimi i detyrueshëm i nënshkrimit të konventës për integrim, adaptimi i kushteve të mësimit të gjuhës së vendit, eliminimi i pengesave në fushën e punësimit, inkurajimi në drejtim mësimit të gjuhës.
Si qytetarë të këtij vendi është një moment shumë i rëndësishëm ku ne mund të sensibilizojmë opinionin dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ligjore që na i ofron Zvicra për të ndikuar në favor të përgatitjes së një ligji sa më të përshtatshëm e të drejtë për të gjithë.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar Për vitin aktual, SBB pret një fitim që ka të ngjarë të jetë në të njëjtin...
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave