Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
Prof. Dr. Omeri i hap perspektiva evropiane mjekësisë në vendlindje
“Shpresoj që gjeneratave të ardhshme t`u hap mundësinë në qasjen për zhvillim profesional në nivel evropian në vendlindje, por edhe njëkohësisht pacientëve, një trajtim bazuar në kushtet dhe udhëzimet më bashkëkohore botërore”
Emrin e kardiokirurgut, Prof.Dr. Omer Xhemali, shumica e lidhin me faktin se ai është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje, për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, Gjermani. Kanë pasuar edhe shume transplantime tjera të suksesshme.
Prej rreth 7 vitesh, dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në Spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozitën e Co-Shef-it të repartit të kardiokirurgjisë.
Me dr. Xhemalin, albinfo.ch ka biseduar rreth angazhimit konkret të tij në klinikën ku punon në Zvicër, angazhimeve në fushën e mjekësisë në vendlindje pastaj rreth “rrjedhjes së trurit”, gjegjësisht ikjes së mjekëve nga vendlindja drejt perëndimit, rreth pranisë së mjekëve shqiptarë në Zvicër, arritjeve të tyre në profesionale etj.
Angazhime të shumta në Shkup dhe në Tetovë
Krahas punës së përhershme në Zvicër, dr. Omer Xhemali ka marrë edhe disa angazhime shtesë në Maqedoni, në Shkup dhe në Tetovë. “Vlen të cek punën në hapjen e kardiokirurgjisë së parë publike në Maqedoni, si bashkëpunim në mes të spitalit ku punoj (Triemlispital në Cyrih) dhe Klinikës Universitare të Shkupit. Këtu, në tre vitet e para kemi operuar mbi 1000 pacientë (rreth 50 % shqiptarë) shpenzimet e të cilëve janë mbuluar komplet nga Fondi i Sigurimit social i Maqedonisë. Qëllimi im kryesor në këtë angazhim është përgatitja e kuadrove të reja. Po ashtu vlen të ceket edhe angazhimi im në hapjen e Qendrës Invazive të kardiologjisë në vendlindjen time, në Tetovë. Për të realizuar këtë, unë në Zvicër kam përgatitur përgjatë një viti stafin me dr. Valon Asanin në krye. Tani kjo qendër ka trajtuar mbi 3000 pacientë me sëmundje kardiovaskulare”, shton dr. Xhemali. Ai po ashtu ka marrë titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Në këtë universitet “tani mbaj edhe ligjëratat e rregullta, në Fakultetin e Mjekësisë si profesor i kirurgjisë kardiale, vaskulare dhe torakale”, thotë ai. Ndërsa në Zvicër është njëri ndër themeluesit e Aleancës për Kardiokirugjinë Publike, si bashkëpunim në mes të klinikës “Triemli” dhe Klinikës Universitare në Cyrih. Në këtë aleancë ekspertësh të zgjedhur, specialisti shqiptar vazhdon të jetë anëtar i stafit udhëheqës.
Janë inkurajuese arritjet e mjekëve shqiptarë në Zvicër
I pyetur rreth numrit në rritje të mjekëve shqiptarë në Zvicër dhe arritjeve të tyre profesionale këtu, dr. Xhemali shprehet me optimizëm se ka një përparim të dukshëm viteve të fundit.
“Sa i përket shifrës së mjekëve, nuk kam informata të sakta por e di se numri është në rritje. Unë kam kontakte të mira me disa kolegë shqiptarë në Zvicër, posaçërisht me kolegët në afërsi. Në shumë spitale, mjekët shqiptarë shtohen si numër por edhe në vendet udhëheqëse rritet numri i tyre. Sot kemi mjekë si PD Dr. Florim Cuculi në Spitalin Kantonal të Lucernit ose Dr. Nazmi Krasniqi, udhëheqës i Kardiologjisë në Spitalin e Qytetit, Wetzikon, etj. Pra, më bën krenar fakti, se bashkëkombësit e mi ecin me hapa të mëdhenj dhe të sigurt në fushën e mjekësisë”.
Dr. Omerin shprehet i lumtur se në klinikën ku punon, në “Triemli Spital” të Cyrihut tashmë janë duke punuar një numër mjekësh shqiptarë. “Vetëm në repartin tim kam dy asistentë shqiptarë, të cilët shpresoj se së shpejti do të avancojnë me tituj profesionalë. Kjo është edhe intenca ime, sepse në raste nevoje, dikush duhet edhe mua të më trajtojë. Po ashtu kemi edhe asistente dhe asistentë tjerë shqiptarë në repartet tjera të po këtij spitali”.
Një fluks i kontrolluar do të ishte zgjidhja
Ndërsa lidhur me fluksin e madh të mjekëve shqiptarë drejt perëndimit, doktori nga Zvicra ka një qëndrim më të diferencuar. “Të deklarohem në këtë pikë është thikë me dy teha: në njërën anë duhet kuptuar kolegët që kërkojnë kushte më të mira dhe rrugë për zhvillim profesional, në anën tjetër duhet pasur kujdes që të mos dobësojmë qasjen për kujdesin shëndetësor në vendlindje. Një fluks i kontrolluar është në sytë e mi një zgjidhje ideale. Që të arrihet deri këtu, ne duhet të kemi diskutime kontroverse me udhëheqësit politikë në vendlindje, pasi që ata janë faktorët që munden t`i krijojnë kushtet dhe mundësitë për vendosjen e rregullit në këtë çështje”.
Por, dr. Xhemali, me gjithë rezervën që ka për të folur së jashtmi për një problem që duhet të preokupojë autoritetet në vendlindje, merr të drejtën të propozojë zgjidhje. “Të flasësh nga Zvicra se çfarë duhet bërë në vendlindje, është shumë lehtë. Por pasi që unë tashmë marr pjesë aktive në rrjedhat e kujdesit shëndetësor në vendlindje, mendoj se kam të drejtën morale të jap mendimin tim. Sipas meje, ka disa pika kyqe që duhet të rregullohen shumë shpejt, që të arijmë të bëjmë ndryshimet e duhura. Kjo fillon që nga rregullimi i çështjes së studimeve në mjekësi (si p.sh. implementimi i një “Numerus Clausus”) që të bëhet përshtatja e numrit të studentëve me nevojat e popullatës, bazuar në të dhënat e sakta sociodemografike, gjë që do të sillte rritje të kualitetit dhe jo të kuantitetit. Kjo tërheq me vete edhe reformat në sistemin e arsimit të lartë. Në anën tjetër duhet, p.sh. në Kosovë dhe në Shqipëri, sa më shpejt të bëhen reformat e duhura të sistemit të sigurimit shëndetësor. Kjo do të rrisë cilësinë e trajtimit por edhe njëkohësisht do ta bënte këtë profesion më tërheqës për gjeneratet e reja. Ka edhe shumë pika, por këto diskutime duhen bërë në takime direkte dhe publike me ata që janë vendimmarrës.
Një javë në muaj, “Visiting Profesor” në Spitalin Universitar të Shkupit
“Për mua është detyrim moral të jap ndihmën time profesionale në vendlindje. Ky ka qenë edhe shkaku pse jam angazhuar atje. Unë, çdo muaj nga një javë punoj në Shkup, gjegjësisht në Repartin e Kardiokirurgjisë, pranë Spitalit Universitar të Shkupit ku edhe jam “visiting profesor” por njëkohësisht edhe mentor i kësaj klinike. Jam në diskutime intensive për jetësimin e Institutit Shtetëror për Sëmundjet Kardiale dhe Vaskulare. Ai do të udhëhiqej nga dy kolegë (një shqiptare dhe një maqedonas) të cilët njokohësisht do të ishin edhe profesorë ordinarë pranë këtij universiteti. Si çdo projekt, edhe ky has në sfida të ndryshme, por unë mendoj se e zotëroj durimin dhe profesionalitetin e duhur që të përcjell këtë projekt deri në fund. Shpresoj që kështu gjeneratave të ardhshme t`u hap mundësinë në qasjen për zhvillim profesional në nivel evropian në vendlindje, por edhe njëkohësisht pacientëve, një trajtim bazuar në kushtet dhe udhëzimet më bashkëkohore botërore. Sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, unë për momentin nuk kam ndonjë qasje direkte atje”, shprehet në përmbyllje të bisedës për albinfo.ch Prof. Dr. Omer Xhemali.
Të tjera nga Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës