Gruaja

Biznesi në Kosovë: çështje burrash!

Presidentja Atifete Jahjaga lavdërohet me gratë kosovare në biznes, por të dhënat zyrtare tregojnë se numri i tyre është shumë i vogël.

© albinfo.ch: Drilona Emrullahut, një vajze të re nga Prishtina

Me gratë kosovare që janë të afta të bëjnë biznes, ndoshta shpesh më mirë edhe se meshkujt, është krenuar edhe vetë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Duke qenë se edhe vetë gruaja e parë nga të gjitha shtetet e rajonit që mban postin më të lartë kushtetues, ajo nuk ka hezituar që edhe botës t’ia tregojë këtë fakt.

Muaj më parë në konferencën “Gratë që udhëheqin zhvillimin ekonomik në Evropën Juglindore” që u mbajt në Kroaci, Jahjaga kishte veçuar sakrificat e grave të Krushës.

Ndër të tjera, Presidentja Jahjaga ishte shprehur se gratë në Kosovë janë në poste kyçe dhe gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë me ndikim në procesin e vendimmarrjes.

Megjithatë, fjalimi i Presidentes në atë konferencë, duket se nuk korrespondon shumë me realitetin në teren.

Në fakt, gratë që bëjnë biznes në Kosovë hasin në shumë vështirësi. Të dhënat nga regjistri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të siguruara nga Albinfo.ch, më së miri e tregojnë këtë.

Sipas të dhënave të këtij dikasteri, nga gjithsej 65 mijë biznese aktive në Kosovë, vetëm 11 përqind e tyre janë nën pronësinë e grave.

© albinfo.ch: Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit “Riinvest”

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit “Riinvest”, institucion ky joqeveritar që merret me hulumtime ekonomike, në një koment të tij ka deklaruar se rreth 99.9 përqind e bizneseve në pronësi të grave kosovare, janë mikro, apo me 1 deri në 9 punëtorë.

“Vetëm 0.01% të tjera kanë madhësi të vogël e të mesme; asnjë të madhe”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 50 përqind e bizneseve të tanishme nën pronësinë e gruas kosovare, kanë filluar aktivitetet e tyre në periudhën 2007-2012, përkund 34 përqind në periudhën 2000-2006.

© albinfo.ch

Në grupin e parë të këtyre bizneseve duket se bënë pjesë edhe ai i Drilona Emrullahut, një vajze të re nga Prishtina, që edhe pse ka studiuar në Angli, ka vendosur që të ardhmen e vet ta ndërtojë në Kosovë.

Ajo ka tre vjet që ka hapur një firmë konsulente të quajtur “RTC-Consulting”, që është e fokusuar ne ofrimin e shërbimeve te hulumtimit te tregut dhe trajnimeve.

“Para se organizatat e ndryshme të fillojnë aktivitetet e tyre në Kosovë, ato shpesh kanë nevojë për të hulumtuar tregun dhe ne jemi kompani që e bëjmë këtë”, thotë Drilona në një bisedë për Albinfo.ch.

Vajza e cila ka studiuar në Angli, për tre vjet të punës në Kosovë, ka arritur që të punësojë edhe disa persona, prej të cilëve katër në Prishtinë dhe dy të tjerë në Tiranë.

“Kompania jonë është e vogël, por ka pasur një rritje solide e të shëndetshme”, thotë ajo, duke përkufizuar arritjet e firmës së saj.

Drilona e cila tregon se në Londër është diplomuar për Biznes Ndërkombëtar, ka arritur që kompania e saj te aprovohet nga Chartered Management Insitute (CMI) , qe te ofroje

Kualifikime Profesionale ne Menaxhment dhe Lidership qe janë te njohura ndërkombëtarisht dhe te akredituara nga Instituti CMI.

“Punojmë për llogari të kompanive private, institucioneve, organizatave të huaja kështu me radhë”, sqaron Drilona për Albinfo.ch, duke sqaruare dhe arsyen përse ka vendosur t’i futet rrugës së biznesit në Kosovë.

“U ktheva sepse ishte dëshira e imja të kontribuojë për vendin tim edhe pse tregu këtu në këtë lëmi është i ashpër”, shprehet Drilona, duke specifikuar se meqë është e re edhe në moshë, atëherë ajo shpesh nuk e merr vëmendjen e duhur nga klientët e ndryshëm.

E pyetur nis ligjet në Kosovë janë të favorshme për të bërë biznes apo nëse ato janë shumë burokratike, Drilona shpjegon se ka mjaft hapësirë dhe nevojitet ende nje angazhim i madh qe procedurat te përmirësohen dhe lehtësohen për bizneset qe veprojnë ne Kosove.

Megjithatë, rastet kur në Kosovë gratë janë ato që drejtojnë biznesin, nuk janë shumë të shpeshta edhe pse nuk mungojnë.

Sipas USIAD-it, në një anketë të kryer në vitin 2005 nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, vetëm 2 përqind e grave në Kosovë drejtojnë ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ndërkohë, ankesat e kryer në vitin 2008 në lidhje me këtë çështje, ka treguar se ka pasur një rritje të vogël, ose 3.83 përqind.