E-Diaspora

Humaniteti, shkëlqim i shpirtit njerëzor

Se si e filloi këtë mision, Blerta Gashi tregon ekskluzivisht për albinfo.ch

Se te shqiptarët humaniteti dhe solidariteti është një vlerë që trashëgohet brez pas brezi, flet edhe projekti, të cilin po e zhvillon mërgimtarja Blerta Gashi nga Zvicra.

Blerta i ka kaluar pushimet gjithmonë në Kosovë. Ajo e ka njohur mirë situatën ekonomike të vendit. Duke e parë mjerimin e pasluftës, ajo vendosi të shkruajë mbi temën që kaherë po e mundonte, pra për varfërinë. Këtë temë ajo më vonë do ta fillonte si një projekt në rrugën e arsimimit të vet.

Në fillim Blerta u mundua të gjente një ide se si të reduktonte varfërinë në vendin e origjinës. Por, duke e parë se mundësitë e punësimit në Kosovë ishin akoma të vogla, Blerta mendoi se ndihma e humaniteti me njerëz të prekur nga varfëria e skajshme ishin për momentin e vetmja rrugëdalje.

Se si e filloi këtë mision, Blerta Gashi tregon ekskluzivisht për albinfo.ch.

“Mua më mundonte shumë varfëria e vendit tim. Shkoja atje gjithmonë me gëzim, por kthehesha me frikë, me dhembje e me shumë pikëllim. Dhe, fillova të shkruaja mbi varfërinë e tyre. Kërkoja kështu brenda vetes një zgjidhje për një jetë normale për të varfrit….”.

Dhe kështu Blerta ka vendosur t’i bashkohet organizatës kulturore « Dorë pë Dore »  me seli në Frankfurt, e cila është formuar në fillim të këtij viti. Ajo është bërë pjesë e projektit të tyre « 10 qytete – 10 familje », ku organizata ka qëllim të ndihmojë familjet skamnore në Kosovë.

Me këtë vizion rreth “Dorë për Dore” bashkohen disa të rinj me vlerë, të cilët pos aktiviteteve kulturore kanë marrë një iniciativë që sado pak t’u dalin të varfërve në ndihmë në Kosovë.

“Fjala “humanitet” është shkëlqimi i shpirtit njerëzor”, thotë Blerta Gashi. “Hapat e parë në këtë rrugë të ndritshme i kam filluar me një mijë eurot e mia personale. Dhe, familja e parë që kam njohur ishte familja Shala, familje shtatanëtarëshe që jetojnë në Atmaxh. Kjo familje jeton në një varfëri të skajshme, sepse për shkaqe shëndetësore kryefamiljari nuk mund të kujdesej për familjen e vet.”

Është mjerim kur fëmijët, për shkak të varfërisë, nuk mund të ndjekin shkollën e të mësojnë, por dalin për kafshatën e gojës e punojnë. Plaken para kohe këta fëmijë”, shton Blerta me lot në sy.

“Nuk ka urë më të bukur se ura që lidh njerëzit për humanitet, kjo fjalë më mbush me dritë për të vazhduar këtë mision të shenjtë”, thotë më tutje Blerta dhe me plot ndjenja tregon takimin me familjen e parë, me familjen Shala.

“E fillova me zemër dhe dora e parë humanitare shpejt u gjet. Kjo dorë ishte pikërisht ansambli i valleve “Troja” nga Winterthuri në Zvicër. Në këtë familje dërguam ndihma në vlerë prej 750 frangash. I pajisëm me gjashtë metra dru për ngrohje, medikamente, rroba dimri, çanta, libra e vegla shkollore, produkte ushqimore për katër muaj, artikuj higjienikë, etj.”, tregon për aksionin humanitar Blerta, duke rrëfyer për gëzimin e tyre.

“Në sytë e tyre pashë lot gëzimi, por edhe shumë dhimbje. Si gëzimi i tyre për cikërrima, siç është një fletore, si dhimbja e tyre për këto kushte të rënda jetësore, më kanë prekur thellë në shpirt, por edhe jam e vendosur të mundohem bashkë me njerëz të vullnetit të mirë që skamnorëve t’u dal në ndihmë. Njëherësh apeloj tek të gjithë që të jemi sa më humanë ndaj njerëzve që jetojnë në mjerim, sepse jetohet për një falënderim, humaniteti e bën njeriun”.

“Sepse duke ndihmuar të tjerët ne e përmbushim jetën tonë me lumturi”, thotë në fund për albinfo.ch Blerta.