Integrimi

Me mantelbardhët shqiptarë në Zvicër

Në këtë numër të revistës mund të lexoni intervista ekskluzive me një numër mjekësh shqiptarë të Zvicrës, duke filluar nga Prof.Dr. Omer Xhemali

“Me mantelbardhët shqiptarë në Zvicër” është motoja dhe titulli i ballinës së numrit më të ri të revistës “albinfo.ch” që doli këto ditë nga shtypi. Siç e tregon edhe kjo moto, në fokus të këtij numri special është prezantimi i mjekëve dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë me prejardhje nga trojet shqiptare, që veprojnë në Zvicër.

Për të krijuar një tabllo të pranisë shqiptare në sferën e shëndetësisë zvicerane, albinfo.ch ka intervistuar një numër mjekësh dhe punëtorësh tjerë shëndetësorë. Ata, duke prezantuar punën e tyre, duke folur për vështirësitë që i kanë ndjekur dhe për sukseset që i kanë arritur në rrugën e tyre profesionale, japin një informacion me vlerë për publikun dhe për punëtorët tjerë shëndetësorë shqiptarë.

Po ashtu, nga Kosova dhe Maqedonia, gazetarët tanë kanë marrë të dhëna rreth ikjes së mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor drejt shteteve perëndimore, dukuri kjo që është cilësuar edhe si “rrjedhje e trurit”.

Në këtë numër të revistës mund të lexoni intervista ekskluzive me një numër mjekësh, duke filluar nga Prof.Dr. Omer Xhemali, mbase mjeku shqiptar me arritjet më të mëdha në profesionin e tij si kardiokirurg dhe për të vazhduar pastaj me mjekët tjerë si: Dr. Bujana Batusha e Dr. Bujar Sopi, (një çift i ri mjekësh), Dr. Avdullah Krasniqi, Dr. Mentor Bilalli, Dr. Valbona Halili, Dr. Gazmend Haliti, Dr. Nait Bajrami dhe Dr. Bujar Beqiri. Ndërkaq këtu prezantohen edhe Antigona Kicaj, infermierja që ka tashmë dy klinika në Winterthur, Fatmire Bajselmani, që udhëheq një spitex në Zug, Gazmend Demiri, që udhëheq një qendër të të moshuarve në Egerkingen etj.

Pra, përveç mjekëve dhe ordinancave të tyre në Zvicër në bllokun tematik të këtij numri prezantohen edhe ofrues shërbimesh tjera si shtëpi të pleqve dhe “spitex”-e, qendra për përkujdesje në shtëpi, të të moshurave dhe personave tjerë në nevojë. Është ky edhe një segment në sferën e shëndetësisë, në të cilin shqiptarët po e gjejnë veten gjithnjë më tepër.

Në bllokun e shëndetësisë të këtij numri, në një kuptim më të gjerë bëjnë pjesë edhe shkrimet mbi varësitë nga lojërat e fatit dhe nga duhani, që janë shkruar mbi bazën e informacioneve që enkas për albinfo.ch kanë ofruar persona kompetentë në nivel të Zvicrës.

Revistën albinfo.ch mund ta merrni dhe ta lexoni, si zakonisht, falas, në ambientet që frekuentojnë shqiptarët në gjithë Zvicrën.