Opinione
Të paktën të mos e fyejmë Diasporën!
(Ish-presidenti i Shqipërisë ka shkruar një opinion për njërin nga resurset më të fuqishme të kombit shqiptar-Diasporën, e cila përbën një të tretën e trungut demografik të etnikumit shqiptar. Këtë kulmne albinfo.ch e jep të plotë, në mënyrën se si Nishani e ka botuar për mediet lokale në Tiranë).
Shqipëria përpos të tjerave identifikohet edhe për një veçori demografike në raportin global. Ajo ndoshta është shembulli i vetëm i një shteti ku brenda territorit të vet administrativ jetojnë (afërsisht) vetëm 40% e popullsisë që i takojnë kombësisë përkatëse (shqiptare). Veç popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, shqiptarët kanë një diasporë të madhe të përhapur në vende të ndryshme evropiane, USA, Kanada, Australi por dhe vende të tjera. Një diasporë e krijuar nga gjenerata të ndryshme emigrantësh përfshirë ata politik dhe ekonomik. Janë disa miliona këta që kanë ndërtuar jetën atje në breza por duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe duke krijuar njëkohësisht një thesar të kapitalit njerëzor dhe atij ekonomik e financiar. Kapacitetet e saj por dhe energjitë janë të shumta dhe për fat të keq të injoruara dhe pa shfrytëzuara.
Retorika vijon dhe nuk po ia len vendin përgjegjshmërisë dhe angazhimeve konkrete. Shqipëria prej kohësh e ka patur të nevojshme një institucion në nivel Ministrie për diasporën. Mund të mungoj vullneti për ta krijuar dhe kjo është keq, por të pretendosh se po merresh me diasporën duke emëruar një Ministër pa portofol është të tallesh me atë dhe kjo është shumë keq ! Samiti i ashtuquajtur i diasporës në nëntor 2016 u shndërrua në një show partizan pa kurrfarë produkti.
Kush mund të thotë sot pas një viti në prag të samitit të dytë se çfarë ka prodhuar apo ndodhur në një vit prej atij samiti. Pa dyshim është e nevojshme që të ketë edhe Kuvend të Diasporës ku minimalja të prodhohet Senati i saj dhe platforma e angazhimeve konkrete. Pas atij samiti, buxheti i ri i vitit që u miratua vetëm një muaj më pas nuk parashikoi asnjë qindarkë për çështjet e diasporës.
Në SHBA diaspora shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme numerike por dhe cilësore si potencial. Kam pasur rastin të shoh nga afër dinamikën e Vatrës, një organizatë patriotike prej gjeneratash të shumta e cila ende ruan këtë ndërthurje brezash. APEN, modeli i për bashkimit të identitetit kombëtar me hapësirën e mundësive që të jep ëndrra amerikane. Albanian Excellence, një bashkim i jashtëzakonshëm vlerash të grave dhe vajzave të talentuara shqiptare. Pa numëruar këtu një mori organizatash aktive në New York, Michigan (si shtet), Cikago, Florida (si shtet), Boston, etj. Askush prej pjestarëve të tyre nuk është ftuar të jetësoj eksperiencën dhe dijet në administratën publike shqiptare.
Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar i mbajtur në NY në shtator 2016 mblodhi me qindra biznesmenë të suksesshëm shqiptar nga diaspora. Askush prej tyre nuk ka gjetur derën hapur për incentiva investuese në Shqipëri. Shoqata e mjekëve shqiptaro-amerikan, një bashkim i mjekëve të shkëlqyer në USA ju vu në dispozicion zyrtarisht qeverisë shqiptare për të shërbyer me turne mujore në spitalet e Shqipërisë si në menaxhim të tyre ashtu dhe ushtrim profesioni, pa asnjë pagesë. U injoruan totalisht!
Artikulimi i vlerave të diasporës dhe i investimit të shtetit shqiptar vetëm tek mundësimi i votimit për emigrantët është shumë larg sensit të përgjegjësisë dhe dëshirës për angazhim. Votimi nga emigrantët është një çështje e rëndësishme dhe duhet zgjidhur sa më parë. Por që të bëhet i realizueshëm, duhet të shohim së pari largimin e grupeve kriminale nga blerja e votave dhe përfundimin e infrastrukturës së votimit elektronik. Por dimensioni i diasporës është shumë më i madh. Janë me miliona që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare e ata nuk janë aset votuesish.
A më thotë dot kush nga qeveria shqiptare se ku është çelur një qendër kulturore shqiptare ? Në New York nga autoritet vendore me mbështetjen e Asambleistit Mark Gjonaj u mundësua dhënia e një objekti për Qdndrën Kulturore Shqiptare. Por duhej një investim fillestar më pas për të. Asnjë qindarkë deri më sot nuk është vendosur nga qeveria. Janë me mijëra mësues vullnetar që u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Amerikë, Itali, Greqi, Zvicër e deri në Kanada e Australinë e largët. Më thotë dot kush nga qeveria shqiptare, a ka një fond shtetëror për financimin e tyre dhe bazës shkollore ? Jo, sigurisht asgjë.
Mund të mungoj dëshira dhe angazhimi për t’i shërbyer diasporës, mund të mos jesh i aftë dhe i zoti t’i kthesh potencialet e saj në asete edhe për vendin e origjinës, por është krejt e papranueshme të fyhet ajo duke e përdorur si subjekt i shout politik.
Në këtë showbiz mund të marrë pjesë çdokush që dëshiron, por unë nuk shoh asnjë arsye që opozita shqiptare të bëhet skenografia e tij. Përtej gjithë kësaj përpjekje pa produkt, Diaspora mbetet resurs i jashtëzakonshëm. Ajo pret……
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha